Kosova

Kosovë: Sindikata e shëndetësisë në protestë për “rritje e shtesa” të pagave


Stafi i sindikalistëve të shëndetësisë.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), ka njoftuar se ditën e premte do të protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë dhe para Qeverisë së Kosovës.

Lajmin për Albanian Post, e ka konfirmuar kryetari i Federatës se Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

Syla deklaroi se kjo protestë do të bëhet më qëllim për të pasur rritje në shtesat e pagave sipas ligjit antiCOVID, por gjithashtu që ligji i pagave të rregullohet.

“Kërkesat e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës për Ministrinë e Shëndetësisë janë: vazhdimi i dialogut social, nxjerrja e udhëzimit administrativë për shtesat mbi pagë të bazuar në Ligjin nr.07/L-006 për luftimin dhe parandalimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Syla.

Ndërkaq, kërkesat e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës për Qeverinë e Republikës së Kosovës janë:

“Ligji mbi Pagat, dhe shtesat mbi pagë bazuar në Ligjin nr.07/L-006 për luftimin dhe parandalimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës”.

Ai bëri të ditur se shkaku i pandemisë, “pjesëmarrës në protestë do të jenë vetëm anëtarët e Kryesisë së FSSHK-së për shkak të situatës së krijuar me Pandeminë COVID-19”.

Infermierët në protestë për rritje të pagave.

Më 2 shtator, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtesat prej 10 për qind të pagës bruto për stafin shëndetësor, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, ka dalë me gjashtë kërkesa.

FSSHK-ja ka kërkuar që shtesat të rishqyrtohen dhe të merret vendim për rritjen e tyre e që ajo të mos jetë më e ulët se 300 euro. Për këtë ka paralajmëruar edhe padi ndaj Qeverisë për shkelje të ligjit kundër pandemisë.

Mirëpo, pas mos plotësimit të këtyre kërkesave kjo Federatë ka marrë iniciativë për protestë.

Po ashtu, sindikata e Infermierëve, Oda dhe shoqatat e infermierëve të psikiatrisë, neurologjisë e shoqata të tjera kanë paralajmëruar se gjatë muajit shtator të vitit 2021 do të mbajnë protesta për të realizuar kërkesat e tyre.

Miratimi i ligjit të pagave dhe ligji për infermierët janë dy nga këto kërkesa.

Ndërkaq, shtatë milionë euro janë ndarë për lehonat dhe shtesat e fëmijëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore