Kosova

Kosovë: 880 pacientë nga COVID-19 po trajtohen në klinika dhe spitale


Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ka njoftuar se në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, janë duke u trajtuar 880 pacientë nga COVID-19, ku 33 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas njoftimit, 729 pacientë janë të konfirmuar me Coronavirus, ndërsa 151 të tjerë janë në pritje të rezultateve.

“151 pacientë janë të dyshuar dhe janë në pritje të rezultateve, 33 pacientë janë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe 679 janë nën asistim të oksigjeno-terapisë”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, 357 janë të shtrirë në Klinikat e Qendrës Klinike Universitare dhe 523 të tjerë në spitalet rajonale.

Me më së shumti pacientë të shtrirë mbetet klinika Infektive, me gjithsejtë 117 pacientë të infektuar.

“Klinika Infektive II ( mjekësia sportive), 89 pacientë dhe me të njëjtin numër është edhe klinika e Pulmologjisë, kurse në klinikën Infektive III ( Interno), janë të shtrirë 30 pacientë, në atë të Gjinekologjisë, nëntë paciente, mjekimi Intensiv -COVID, 16 pacientë kurse klinika e Pediatrisë, 7 pacientë”.

Ndërkaq në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 523 pacientë.

Sipas numrit të pacientëve të shtrirë në spitalet e përgjithshme, spitali i Prizrenit mbetet me numrin më të madh të pacientëve të infektuar me Coronavirus, në të cilin janë gjithsejtë 126 pacientë të shtrirë, kurse ai me numër më të paktë të këtyre pacienteve është spitali i Vushtrrisë, me gjithsejtë 21 pacientë.

Megjithatë në bazë të statistikave nga instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, deri më tani numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 87 mijë e 067.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve është gjithsejtë 71 mijë e 813 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13 mijë e 424.

Të dielën, më 28 mars, pritet të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave në Kosovë.

Bëhet fjalë për vaksinat AstraZeneca, që do të vijnë nëpërmjet programit “COVAX”, mundësuar nga Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Janë gjithsejtë 24 mijë doza të vaksinave kundër Coronavirusit që do të arrijnë në Kosovë, në kontingjentin e parë.

“Ceremonia e pranimit të vaksinave mbahet në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, (para terminalit VIP), me fillim nga ora 20:15”, njoftoi zyra e kryeministrit, përmes një komunikate për medie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore