Kosova

“Kosova s’duhet ta ‘vrasë’ dialogun, por ta përmbyllë atë”, përgjigja e Osmanit ndaj Macron-it konsiderohet për “konsum të brendshëm”


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

“Kosova nuk duhet të synojë ta ‘vrasë’ dialogun, por ta përmbyllë atë suksesshëm me një marrëveshje gjithëpërfshirëse të përqendruar në njohjen reciproke”, ka thënë në një prononcim për Albanian Post, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, duke komentuar përgjigjen e presidentes Vjosa Osmani, ndaj deklaratës së presidentit francez, Emmanuel Macron.

Osmani deklaroi se mënyra më e mirë për ta vrarë procesin e dialogut njëherë e përgjithmonë është nëse bëhen realitet paralajmërimet e Macron-it, siç është ai për shqyrtimin e regjimit të vizave për Kosovën dhe Serbinë.

Por, ky qëndrim i të parës së vendit për nënkryetaren e PDK-së, është “lojë fjalësh”, dhe se është bërë më shumë për “konsum të brendshëm” sesa për atë të jashtëm, pasi që ajo nënvizon se dialogu në politikë të jashtëm është i pashmangshëm, e sidomos për Kosovën.

“Dialogu është instrument i pashmangshëm në politikë të jashtme dhe në diplomaci, e në rastin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë është edhe një obligim ndërkombëtar i dalë nga rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, potencoi Çitaku për AP.

Madje, ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pohon se termi “vdekje” e dialogut nuk është diçka e re që po dëgjohet tani, duke kujtuar kështu qëndrimet që kryeministri Albin Kurti, i kishte bërë për këtë çështje gjatë kohës sa ishte në opozitë.

Prandaj, thekson ajo, edhe kjo e Osmanit është në këtë frymë.

“Dialogun e vdekur, kryeministri Kurti e ka shpallur disa herë. Në fakt ai ka thënë nuk do të dialogojë fare me Serbinë pa na kërkuar falje, pa u zbardhur fati i të pagjeturave …”.

“Njëjtë si ato të Kurtit më herët”, pohoi ajo, duke shtuar se “në asnjë rrethanë liderët institucionalë të Kosovës nuk është mirë të ushqejnë frymën anti-evropiane, anti-perëndimore në Kosovë”.

Vlora Çitaku

Çitaku kujtoi edhe një rast kur Kosova kishte humbur “një tren” për liberalizimin e vizave disa vite më parë, “për shkak të qëndrimit të Kurtit dhe Osmanit” sa i përket Demarkacionit të kufirit me Mali e Zi – çështje të cilën kreu i ekzekutivit kosovar – për dallim nga koha kur ishtë opozitë – nuk e përmendë më.

Një ndër reagimet e shumtë për deklaratën e Osmanit ka qenë edhe ai i anëtarit të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valon Murtezaj, i cili beson se presidentja fare nuk e ka kuptuar atë që Macron e tha para ambasadorëve të Francës në fjalimin e tij të parvjetshëm dhe tradicional, ku presidenti diskuton me diplomatët francezë për politikën e jashtme të shtetit dhe sfidat e diplomacisë.

“Të kuptuarit korrekt të gjuhës diplomatike evropiane, dhe në përgjithësi të komunikimit ndërkulturor, është aftësi ndër kryesoret në lidership”, shkroi ai në Facebook.

Ai pohon se presidenti Macron fjalët kyçe i kishte që palët të jenë të përgjegjshme.

“Në asnjë nuancë nuk kishte tone kërcënuese, përkundrazi ishin mesazhe të balancuara për të ecur përpara për ndërtim të paqes”, shtoi.

“Por, ne në Kosovë, shpesh kemi një dhunti komunikimi antivetes këtë nuk e kuptoj!”, pohoi Murtezaj.

Cila ishte përgjigja e Osmanit ndaj Macron-it?

Paralajmërimi i Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, se njëra ndër masat që mund të merret ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse ato “nuk sillen me përgjegjësi” në procesin e dialogut është edhe shqyrtimi i regjimit të vizave për të dy vendet, sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është mënyra më efektive për të vrarë procesin e dialogut njëherë e përgjithmonë.

Në një prononcim për media pas homazheve te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë, Osmani, e indinjuar me deklaratën e presidentit francez tha se një ndëshkim i tillë të cilën e quajti si të paprecedentë do të rezultojë me vdekjen e dialogut.

“Në qoftë se dëshiron dikush që mos të ketë më dialog atëherë ndërmerr masa të tilla që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës, nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj ndonjë politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Një ndëshkim i tillë i paprecedentë, i cili edhe ashtu ka qenë pa drejtësi e madhe në raport me popullin e Kosovës, unë besoj se do të rezultojë me vdekjen e dialogut, nuk ka askush më mandat në Republikën e Kosovës që të vijojë të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet në aso mënyre”.

Megjithatë ajo është shprehur e bindur se nuk do të vijë deri te rishikimi i vendimit për viza meqë sipas saj Kosova i ka plotësuar e stërplotësuar kriteret.

“Kjo është një proces të cilën Kosova e ka merituar nuk na është dhënë dhuratë”.

Çfarë kishte thënë Macron?

Presidenti francez Emmanuel Macron, kishte deklaruar se ashtu si Franca dhe Gjermania, bashkë me Bashkimin Evropian, janë treguar të përkushtuara në raport me Kosovën dhe situatën në Veri, pret që edhe Kosova ta ketë të njëjtin përkushtim në zbatimin e premtimeve të dhëna, veçanërisht për uljen e tensioneve dhe krijimin e kushteve për paqe dhe stabilitet.

Këto komente ai i kishte bërë para ambasadorëve të Francës në fjalimin e tij të parvjetshëm dhe tradicional, ku presidenti diskuton me diplomatët francezë për politikën e jashtme të shtetit dhe sfidat e diplomacisë.

“Sa i përket diferencave në mes të Kosovës dhe Serbisë, kjo situatë është mbështetur nga negociatorët evropianë dhe nga përfaqësuesit tanë, prandaj presim angazhim të qartë nga të dyja palët”, tha Macron duke specifikuar “angazhimin sa i përket zgjedhjeve komunale në katër komunat veriore”.

Ai theksoi se për autoritetet e Kosovës ka një kërkesë të qartë – “presim që vendoset paqja sa i përket situatës në Veri”.

Lideri i “ La République En Marche” që u angazhua edhe personalisht përmes kabinetit të tij dhe përfaqësuesit Emmanuel Bonne në bashkëpunim me Gjermaninë të hartojnë edhe një propozim franko-gjerman që më vonë u kthye në Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, deklaroi se edhe qeveria e tij, por edhe ajo e Olaf Scholz-it, u kanë qëndruar premtimeve në raport me Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën.

“Franca dhe Gjermania u ka qëndruar përkushtimeve të veta dhe këtë e kemi treguar me çështjen e vizave dhe çështje të tjera ekonomike që do të shpalosen në të ardhmen”, pohoi Macron, “prandaj presim nga të dyja palët që të sillen me përgjegjshmëri”.

Ai u kishte tërhequr vërejtjen diplomatëve të tij se “duhet të jemi tejet vigjilent në atë pjesë, sidomos kur stabiliteti i Ballkani Perëndimor është në pyetje”.

Dhe, për të përmbyllur temën e Kosovës dhe Serbisë e dialogut mes tyre, Macron përfundonte duke thënë se “ne do të vazhdojë përkushtimin tonë”, për këtë pjesë të Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore