Kosova në pritje të skanerëve për heqjen e masës së sigurisë ndaj importit të mallrave nga Serbia

Kosovës i janë ofruar skanerë, krahas përfaqësimit me fusnotë në CEFTA, në këmbim të heqjes së ndalesës ndaj importit të mallrave nga Serbia.
SHFLETO

Ilustrim

Armat Matoshi
23.09.2024 20:09
Loading Icons...

Gjermania ka paralajmëruar se Kosova mund të përjashtohet nga nismat rajonale tregtare, nëse vazhdon të ngulë këmbë në ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia, ndërsa zyrtarë institucionalë kanë insistuar se vendimit për heqjen e masës së sigurisë duhet t’i paraprijë ardhja e skanerëve për forcimin e kontrollit kufitar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Kallxo” javë më parë, duke folur rreth “kërcënimit gjerman” për mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit – platformë formale e politikës së Bashkimit Evropian (BE) ndaj Ballkanit Perëndimor – ka përmendur ardhjen e pajisjeve skanuese, por pa përmendur afate.

“Gjermania ka ofruar skanerë profesionalë nëpërmjet të cilëve mund të kalojnë të gjithë kamionët dhe mund të detektohet gjithmonë nëse ka ndonjë armë… Skanerët janë një donacion i jashtëzakonshëm për doganën dhe policinë e Kosovës. Dallimi është aspekti kohor sepse skanerët akoma nuk kanë ardhur”, ka deklaruar Osmani.

Qeverisë së Kosovës në mënyrë të vazhdueshme i është kërkuar që të angazhohet urgjentisht në aktivitetet e bashkëpunimit rajonal dhe të respektojë obligimet që burojnë nga Marrëveshja për Tregti të Lirë (CEFTA), duke hequr edhe vendimin për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, para takimit të Procesit të Berlinit në tetor.

Megjithatë, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV) në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në momentin e mbërritjes së skanerëve në Kosovë, atëherë mund të hiqet masa e sigurisë ndaj mallrave serbe e vendosur qershorin e vitit të kaluar pas kidnapimit të tre policëve kosovarë nga Serbia në brezin kufitar.

“Kosova është në pritje të skanerëve të rinj, të cilët do të bënin skanimin e kamionëve apo maunave që hyjnë në gjitha pikat kufitare. Unë besoj se në afatet kohore do të gjendet modaliteti më i mirë, që në momentin kur të kemi siguri të plotë, që mund të parandalohet çfarëdo kontrabandimi ilegal nga Serbia, mund të hiqet masa e sigurisë”.

Duke qenë se Kosova ende përfaqësohet në CEFTA përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), emisari i posaçëm gjerman, Manuel Sarrazin, akoma s’ka arritur ta bind kreun e ekzekutivit kosovar të bëjë kompromis: Kosova e përfaqësuar me fusnotë në CEFTA në këmbim të heqjes së ndaleses për mallrat serbe.