Lajme

Kosova dhe Shqipëria me marrëveshje në fushën e drejtësisë


Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje të hënën ku ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes për njohjen e së Drejtës së Ushtrimit të Profesioneve të Avokatit dhe Ndërmjetësit në zgjedhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit.

“Vendimi obligon Ministrinë e Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës që të zhvillojë negociata me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë me qëllim të finalizimit të tekstit përfundimtar të marrëveshjes së lartë-cekur, në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

Tutje është sqaruar edhe ajo çfarë përmban kjo marrëveshje.

“Marrëveshja ka si objekt përcaktimin e rregullave të zbatueshme në mundësimin e njohjes së të drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në të dy vendet, si dhe të të drejtave dhe detyrimeve që Palët marrin përsipër për arritjen e qëllimit, sipas kësaj Marrëveshje”.

Më 25 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës e kishte paralajmëruar me atë të Shqipërisë.

Lajmin e kishte bërë të ditur Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Mbledhja e 143-të nga kënde të tjera të kamerës. Ajo e radhës do të jetë në mes të dy Qeverive”, ka shkruar Kurti.

Por, që një mbledhje e tillë akoma nuk është mbajtur dhe nga institucionet nuk kanë njoftuar për një datë të caktuar se kur do të mbahet kjo mbledhje.

Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërise mbledhjen e fundit së bashku e kishin mbajtur në vigjilje të festës së 28 nëntorit, të dielën e 27 nëntorit 2022.

Adresim gjatë mbledhjes kishte mbajtur kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Pastaj mbledhja kishte vijuar me fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe fjalimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ndërsa, nga një fjalë përshëndetëse kishin mbajtur edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Një mbledhje e ngjashme që ishte mbajtur për të arritur marrëveshje mes dy qeverive shqiptare ishte mbajtur edhe më 20 qershor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe delegacioni shqiptar u pritën me nderime të larta nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nën përcjelljen e ministrave të Qeverisë së Kosovës.

Pas saj, ishte bërë edhe nënshkrimi i marrëveshjeve të arritura ndërmjet dy qeverive.

Në këtë mbledhje ishin nënshkruar 19 marrëveshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore