Shqipëria

Kosova dhe Shqipëria azikërkuesit me numrin më të lartë nga Ballkani për në Evropë


Flamuri i Kosovës dhe flamuri i Shqipërisë.

Për tre muajt e parë të vitit 2024, Kosova dhe Shqipëria kanë kryesuar në listën e aplikuesve nga Ballkani Perëndimor që kanë kërkuar azil për në një vend të Bashkimit Evropian.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit të publikuar nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA).

Në këtë raport është thënë se nga Shqipëria u paraqitën në vendet e Bashkimit Evropian, 624 aplikime për azil, ndërsa nga shtetasit e Kosovës 513.

Pas Kosovës dhe Shqipërisë, prin Maqedonia e Veriut, ku numri i azilkërkuesve është 340, nga Serbia 272, Bosnja 109 dhe Mali i Zi, 37.

Sipas të dhënave të ABEA, gjatë vitit 2023, nga shtetasit shqiptarë u paraqiten gjithsej 9 mijë e 145 aplikime në një nga vendet e Bashkimit Evropian.

Teksa, interesi më i lartë i shtetasve shqiptarë për aplikim për azil si për vitin 2023, edhe për tre muajt e parë të vitit 2024 është Franca, Italia dhe Gjermania.

Ndërsa, bazuar në shifrat e raportit të fundit vjetor të Zyrës Europiane të Azilantëve (EASO), për periudhën 2010-2020 nga shteti i Kosovës kishin kërkuar azil në Bashkimin Evropian (BE) 200 mijë persona.

Këto shifra, në raport me popullsinë aktuale të Kosovës, e bëjnë këtë vend të parin në rajon sa i përket aplikimit për kërkesën për azil në periudhën 2010 – 2020.

Franca është shteti i Bashkimit Evropian (BE) ku kosovarët kishin kërkuar më së shumti azil për vitin 2020.

Ajo pasohet nga shtetet anëtare të BE-së dhe zonës Schengen si Gjermania, Italia, Suedia dhe Zvicra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore