Kosova konfirmon ambicet për anëtarësim në BE – Serbia u shkep dekorata përfaqësuesve të Rusisë

Kosova dhe Serbia zhvendosin betejën diplomatike në New York: Prishtina kërkon përshpejtim të procesit integrimit ndërsa Beogradi ndan dekorata për mohuesit e gjenocidit.
SHFLETO

Ilustrim

Armat Matoshi
23.09.2024 23:22
Loading Icons...

Në kuadër të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), liderët e shteteve janë mbledhur në New York për të diskutuar rreth çështjeve globale, ndërsa mes kësaj atmosfere diplomatike, liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë treguar edhe njëherë kontrastin në prioritet e politikës së jashtme.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë prezentë udhëheqësit më të lartë të Kosovës, të cilët kanë paralajmëruar takime me liderë shtetesh dhe udhëheqës të organizatave në kuadër të kësaj maratone diplomatike. Nga ana tjetër, zyrtarët serbë kanë paralajmëruar se Kosova do të jetë në fokus të diskutimve në në New York.

E përderisa ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD), Donika Gërvalla, ka konfimuar ambicien e vendit për integrim në Bashkimin Evropian (BE), presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka dekoruar përfaqësuesit rusë që kanë votuar kundër Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Në fjalën e saj para homologëve nga Ballkani Perëndimor, shefja e diplomacisë kosovare ka prezantuar perspektivën e vendit të vogël ballkanik në procesin e anëtarësimit në bllokun evropian, duke theksuar se Kosova është prijëse e dëshmuar e rajonit, veçanërisht sa i përket sundimit të ligjit dhe standardeve demokratike.

“Ministrja Gërvalla ftoi grupin ‘Miqtë e Ballkanit Perëndimor’ të përkrahë aplikimin e Kosovës për në BE dhe të ndihmojë konkretisht në trajtimin e kërkesës së dhjetorit të vitit 2022 duke vënë në pah faktin që nuk duhet lejuar Rusia dhe aleatët e saj në rajon të diktojnë ritmin e zgjerimit të BE-së”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Në ndërkohë, presidenti autoritar i Serbisë, në prag të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka dekoruar me medaljen më të lartë zëvendësambasadorin rus, Vasily Nebenzja, duke konfimuar edhe njëherë marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve në dritën e agresionit të paprovokuar rus kundër Ukrainës.

“Dëshiroj t’ju falënderoj përsëri për ndihmën tuaj gjatë diskutimit të Rezolutës për Gjenocidin në Srebrenicë. Shpresoj se mund ta forcojmë më tej bashkëpunimin mes popujve tanë dhe vendeve tona. E vlerësoj shumë dhe ju gjithmonë mund të prisni të njëjtën gjë nga ne”, ka shkruar presidenti serb në “Facebook” të hënën.

Ndryshe, përderisa Kosova përpiqet të avancojnë axhendën evropiane, perspektiva e Serbisë drejt BE-së është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, përgjatë gjithë historisë moderne, ka marshuar sipas një daulleje të ndryshme nga BE-ja e SHBA-ja.