Kosova

Konjufca: Pasiguria në rajon ka dy burime kryesore – Rusinë dhe Serbinë


Glauk Konjufca dhe Anzej Franges

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, këtë të enjte, ka takuar të dërguarin e Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzej Franges, ku ndër temat e diskutuar ka qenë zhvillimet në Kosovë, veçanërisht në kontekst të sigurisë dhe nevojës për stabilitet.

Në një komunikatë për media potencohet se Konjufca gjatë takimit ka vlerësuar se pasiguria në rajon ka dy burime kryesore.

“Agresioni rus në Ukrainë dhe mospajtueshmëria e Serbisë me kufijtë e saj, përkatësisht ambicien për zgjerim territorial”.

Gjatë takimit po ashtu është diskutuar gjendja në të cilën ndodhet dialogu Kosovë – Serbi.

“Përkatësisht për nevojën që BE-ja të bëje më shumë që Serbia t’i rikthehet Marrëveshjes së Brukselit si korniza bazë për normalizimin e raporteve mes dy shteteve”.

Në anën tjetër diplomati slloven, Franges, sipas komunikatës për media, ka potencuar se Sllovenia, por edhe BE-ja duhet të njohin më shumë perspektivën se si palët, përkatësisht ajo e Kosovës, i shohin gjërat në mënyrë që kjo të reflektojë edhe në qasjen më adekuate të faktorit ndërkombëtar kundrejt zhvillimeve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe zhvillimeve politike në përgjithësi në rajonin tonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore