Kosova

Konjufca: Pa VV-në, Veriu do të ishte pjesë e negociatave


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke folur para gazetarëve, ka vlerësuar se nëse nuk do të ishte Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, Veriu i Kosovës, do të përfundonte në negociata.

Ai ka thënë se Kosova i ka pasur dy opsione lidhur me çështjen e Veriut, e para ka qenë shtrirja e sovranitetit dhe i dyti ka qenë integriteti në atë pjesë dhe dorëzimi.

“Unë jam i sigurt që po të kishte qenë opsioni i vjetër politik në Kosovë, do të kishim përfunduar në negociata por kjo nuk ka qenë opsioni jonë. Opsioni jonë është kushtetutshmëria me çdo kusht, qoftë edhe përmes përdorimit të organeve të sundimit të ligjit për të vendosur atje rendin dhe ligjin”.

“Kosova do të përfundonte shumë keq nëse pas dhunës, pas kushtëzimeve dhe pas imponimeve, Veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata. Kjo nuk ka qenë opsion për Lëvizjen Vetëvendosje dhe për qeverisjen e Kosovës”, ka deklaruar Konjufca.

Ai është pyetur edhe për konferencën për media të cilën e ka pasur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të premten duke thënë se kërcënimet e tij s’i bëjnë përshtypje.

“Vuçiç faktikisht po kërcënon Republikën e Kosovës përmes konferencës së tij për shtyp, mirëpo ky është një kërcenim i cili me thënë të drejtën nuk na bën shumë përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike janë komunat të cilat funksionojnë”, tha kryetari i Kuvendit.

Sipas tij, heqja e strukturave paralele në pjesën veriore ka qenë domosdoshmëri.

“Është në rrugë të mbarë ky proces edhe ky proces ka qenë i domosdoshëm për konsolidimin e kushtetutshmërisë dhe të shtetësisë së Kosovës. Ky është drejtimi ynë”.

Më 30 gusht, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kishte njoftuar se janë mbyllur pesë institucione paralale ilegale të vetëqeverisjes lokale në Veri, të cilat sipas tij kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë.

Edhe më 26 janar, Krasniqi kishte bërë të ditur se në fshatin Vranisht të Dragashit, ishin mbyllur katër komuna paralele, ku ai ka thënë se janë lëshuar kundërligjshëm dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit.

Pas këtyre veprimeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për hapa të njëanshëm dhe të pakoordinuara.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore