Kosova

Konjufca më 17 qershor viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë


Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, më 17 qershor do të udhëtojë për vizitë tek ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Këtë e ka konfirmuar shefi i kabinetit të Konjufcës, Ilir Kërçeli, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Bashkë me kryeparlamentarin Konjufca me datën 17 Qershor udhëtojmë për t’i vizituar ish krerët e UÇK-së në Hagë”.

Ndryshe, është thënë se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar për krime lufte që po mbahen në paraburgim në Hagë, kanë pranuar ta takojnë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Sipas burimeve të RTK-së, Konjufca do të takojë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, por ende nuk dihet data e takimit.

Ndërsa më 2 qershor, Konjufca pati paralajmëruar një vizitë në Hagë pasi ka thënë se krerët e UÇK-së po mbahen të izoluar.

Gjatë muajit mars, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli, nuk kanë pranuar të takohen me ministren, Albulena Haxhiu, gjatë vizitës së saj në Hagë, e ka konfirmuar edhe Ministria e Drejtësisë.

“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk na kanë pranuar. Me aq sa e dimë ne, ata kanë refuzuar një kërkesë tonën, por vullneti i ministres është akoma që të takojë të gjithë të burgosurit”, ka thënë Flamur Pireva, zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë, në një përgjigje të shkurtër për Albanian Post.

Ministrja Haxhiu ka të kaluar me plotë përplasje si me Thacin ashtu edhe me Veselin.

Madje, me ish-kryeparlamentarin kishte pasur një përplasje tejet të ashpër.

Ajo, në momente eskalimi, në një nga seancat sa Vetëvendosje ishte akoma në opozitë, e kishte quajtur Veselin “kriminel”.

Ishte edhe tashmë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që shumë shpesh kishte akuzuar Thaçin e Veselin.

Madje, Kurti kishte dalë një herë edhe me një shkrim të gjatë, të titulluar “shko Hashim”, ku argumentonte se si Thaçi duhet të pranojë të shkojë të gjykohet nga Gjykata Speciale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore