Kosova

Konjufca: Kushtet e Kurtit shumë të arsyeshme, s’ka paqe në rajon pa u dënuar sulmuesit e Banjës


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Foto nga arkivi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, teksa ka folur për tri kushtet e vendosura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e fundit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se institucione qëndrojnë të unifikuara e që kushtet e tij kanë qenë mjaft të arsyeshme.

“Ne si institucione besojmë që qëndrojmë të unifikuar sa i përket këtyre tri kushteve. Këto janë kushte shumë të arsyeshme të cilat zotëri Kurti, i ka vendosur këto duhet të sqarohen për të pasur dialogu sukses”, deklaroi Konjufca.

Ai në një konferencë të përbashkët me homologen e Sllovenisë, Urshka Klakoçar-Zupançiç, ka thënë se institucionet e Kosovës kanë informacione të sakta se shumë persona të tjerë po ushtrojnë dhe po përgatiten në Serbi për një sulm tjetër të ngjashëm si ai i Banjës.

“Institucionet tona kanë informacione të sakta se një grup tjetër prej qindra personash sërish po e bëjnë të njëjtën gjë në Serbi. Po ushtrojnë, po përgatiten për një sulm tjetër, por ne do të jemi gjithmonë të përgatitur për t’u përballur me çfarëdo që vjen nga ana e Serbisë ose sulm ose provokim”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Letra e Bërnabiç-it dërguar institucioneve evropiane sipas Konjufcës, i ka dhënë një goditje të fuqishme marrëveshjes së Brukselit.

“Nëse e lexoni me vëmendje letrën e saj, ajo thotë se klauzolat e marrëveshjes së Brukselit do t’i zgjedhin sipas qejfit që e ka Serbia për vlerësimin një nga një të secilës klauzolë të marrëveshjes së Brukselit. Unë mendoj se kjo është e papranueshme dhe ia ka dhënë një goditje të fortë marrëveshjes së Brukselit”.

Për Konjufcën, s’do të ketë as fqinjësi të mirë e as paqe në rajon pa u sjell para drejtësisë, terroristët e sulmit të 24 shtatorit në Banjë ku humbi jetën rreshteri tashmë hero i shpallur nga institucionet e Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Siç e dini Kosova, është akoma në pritje për përgjigje për kërkesën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian – duke qenë i vetmi vend që nuk e ka këtë status. S’mund të flasim për fqinjësi të mirë e për paqe në rajon pa u dënuar dhe pa u vënë para drejtësisë kryesesit e këtij krimi dhe pa u adresuar përpjekjet e tilla destabilizuese”.

Ndërsa kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakoçar-Zupançiç, ka thënë se Sllovenia do të vazhdojë ta ndihmojë rrugëtimin evropian të Kosovës, derisa ka shtuar se Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet vete nëse duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian (BE) në të ardhmen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore