Lajme

Kongo: Dhuna ‘e përhapur dhe sistematike’ e lidhur me përplasjet për arin


Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) ka paralajmëruar se grupet rivale të armatosura në Republikën Demokratike të Kongos (DRC) po kryejnë abuzime të tmerrshme seksuale kundër grave dhe vajzave.

“UN News”, agjenci lajmesh, tregon se alarmi është nxitur prej asaj që UNHCR-ja e ka quajtur abuzim “të përhapur dhe sistematik” në provincën Tanganyika, ku mijëra njerëz janë zhvendosur shumë herë brenda këtij viti.

“Disa gra dhe vajza janë rrëmbyer dhe përdorur si skllave seksi nga anëtarët e grupit të armatosur”, ka thënë zëdhënësja Shabia Mantoo për gazetarët në Gjenevë.

‘Dhuna e tmerrshme’

Zëdhënësja e UNHCR-së ka shpjeguar se vetëm dy javët e fundit, partnerët humanitarë në zonat shëndetësore Kongolo dhe Mbulula, kanë regjistruar 243 incidente përdhunimi, 48 prej të cilave përfshinin të mitur. Këto në 12 fshatra të ndryshëm.

Duke vënë në dukje se shifrat aktuale mendohet të jenë edhe më të larta, pasi raportimi i dhunës me bazë gjinore mbetet tabu në shumicën e komuniteteve, zëdhënësja ka treguar se shifrat arritën në një mesatare prej 17 sulmeve të raportuara në ditë.

“Stafi ynë ka dëgjuar dëshmi të tmerrshme të dhunës ekstreme”, ka ravijëzuar ajo.

Por përveç traumave të mëdha fizike dhe psikologjike nga përdhunimi, të mbijetuarat e dhunës seksuale mund të përballen me stigma dhe përjashtim të mundshëm nga familjet e tyre.

Grupet e armatosura rivale

Sipas autoriteteve lokale, që prej muajit maj, më shumë se 23 mijë njerëz janë zhvendosur vetëm në territorin Kongolo të Tanganyika-s veriore. Dhe se shumica kanë ikur nga pasiguria disa herë në tre muajt e fundit.

Që nga muaji i kaluar, vlerësimet e OKB-së kanë zbuluar se pasiguria dhe dhuna kanë çrrënjosur gati 310 mijë njerëz dhe se aktualisht janë zhvendosur në provincën Tanganyika.

Sipas zëdhënëses së UNHCR-së, grupet rivale të armatosura përgjegjëse për sulmet po konkurronin për kontrollin e zonave të minierave, veçanërisht minierat e arit. Kështu që abuzimi ishte i lidhur me hakmarrjen për operacionet ushtarake të drejtuara nga qeveria.

“Personat e zhvendosur me forcë kanë akuzuar grupet e armatosura për kryerjen e përdhunimit masiv teksa gratë përpiqen të largohen nga shtëpitë e tyre”, ka thënë ajo, duke shtuar se “familjeve u janë kërkuar shpërblime në këmbim të lirimit të tyre”.

“Trekëndëshi i vdekjes”

“UN News” shkruan se teksa agjencia e OKB-së mbetet e përkushtuar për të ndihmuar të mbijetuarat, dhuna e vazhdueshme dhe nevoja për të udhëtuar në distanca të gjata për kujdes në qendrat mjekësore po pengojnë punën e saj.

Nisur nga kjo, për të mbrojtur civilët, veçanërisht gratë dhe vajzat, UNHCR-ja u ka drejtuar thirrje autoriteteve që të rrisin urgjentisht sigurinë në të ashtuquajturin “trekëndëshi i vdekjes”, një zonë që kufizohet me disa lokalitete midis provincave Tanganyika, Maniema dhe Kivu e Jugut.

Gjithashtu lëvizja do të lejojë qasje humanitare, si dhe për fillimin e hetimeve ku bërësit e krimeve të dalin para drejtësisë.

“Nevojat humanitare dhe mbrojtëse po rriten dhe UNHCR po kërkon mbështetje të mëtejshme financiare”, ka pohuar Mantoo, duke i informuar gazetarët se janë marrë vetëm 36 për qind e 205 milionë dollarëve të kërkuar për operacionin e DRC-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore