Kosova

“Konfiskimi i pasurisë do të bëhet nga gjykata, jo nga byroja”


Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se konfiskimi i pasurisë do të bëhet nga gjykata e cila më pas e garanton procedurën profesionale dhe respektimin e të drejtave të palëve.

Në seancën ku po diskutohet për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Kurti sqaroi se konfiskimin nuk e bën Byroja, por vetëm e inicion verifikimin.

“Për projektligjin e Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, është punuar me kujdesin më të madh. Konfiskimi i pasurisë do të bëhet nga gjykata, gjykata e garanton procedurën profesionale dhe respektimin e të drejtave të palëve”.

“Konfiskimin nuk e bën byroja, por gjykata. Procedurën e verifikimit e inicion byroja, ku përmes zyrtarëve të saj bëhet verifikimi i pasurisë së palës. Nëse ka shpërputhje në mes të hyrave dhe pasurisë atëherë byroja ka të drejtë të paraqesë në gjykatë për vlerësim të mëtutjeshëm”.

“Nuk e bën byroja konfiskimin, por vetëm e inicion verifikimin. Byroja nuk është prokurori përveç se nuk është gjykatë, s’mund të jetë prokurori. Projektligji është i qartë dhe nuk e cenon pavarësinë e shtetit. E gjithë procedura para gjykatës është procedurë civile. Byroja kurrë nuk do të jetë një agjenci që ndjek dhe përndjek kundërshtarët politikë”.

“Kjo s’do të thotë që amnistojmë krime të bëra para vitit 2008, asnjë amnistim të asnjë krimi. Pasuria do të verifikohet për gjithë zyrtarët shtetërorë, të ekspozuar politikë dhe të afërmve të tyre. Byroja i merr të dhënat nëpërmjet bashkëpunimit të saj, përmes projektligjit do t’i mundohet qasja dhe bashkëpunimi me agjenci shtetërore që marrin të dhëna të ndryshme. E drejta e ankesës është e përhershme dhe e patjetërsueshme. Ankesë kanë të drejtë si byroja ashtu edhe pala”, tha Kurti.

Ndër të tjera, Kryeministri Kurti, u ka bërë thirrje deputetëve që të votojnë Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Glauk Konjufca, Kryetar i parlamentit të Kosovës

Konjufca do të dërgojë në Komisionin e Venedikut projektligjin për Byronë Shtetërore

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë do ta dërgojë në Komisionin e Venedikut projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Këtë, kryetari i Kuvendit ka thënë se do ta bëjë pas kërkesave të partive opozitare që ky projektligj të marrë komentet nga ky komision.

“Meqenëse po e shoh që është emëruesi i përbashkët i opozitës siç duket edhe kjo kërkesa për të ju drejtuar Komisionit të Venedikut, unë po bëhet garant i kësaj, si kryetar i Kuvendit e kam këtë kapacitet ligjor që ma ofron Kushtetuta dhe ligjet për të ju drejtuar Komisionit të Venedikut, kështu që këtë ligj do të ja drejtoj Komisionit të Venedikut”, ka thënë Konjufca.

Agim Veli, deputet i LDK-së

Veliu: Projektligji për Byronë Shtetërore është eksperimental

Agim Veliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka folur në lidhje me Projekligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ai para deputëtëve në Kuvend është shprehur se ky projekligj është eksperimental.

“Projekligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të cilët sot qeveria, po ia imponon Kuvendit për miratim, është një projektligj eksperimental, i cili synon të kënaq ambiciet e partisë në pushtet, për të kërcënuar dhe mbajtur në zhantazh, të gjithë zyrtarët dhe ish-zyrtarët shtetëror”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore