Kosova

KMDLNJ: Qytetarët janë plaçkitur nga ZRRE-ja përmes fryrjes së faturave, kërkojmë kompensimin


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar pas vendimit që Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për faturimin e rrymës të qytetarëve të Kosovës për katër komunat veriore.

Sipas këtij këshilli qytetarët e vendit janë plaçkitur nga ZRRE-ja, përmes fryrjes së faturave për t’ua paguar rrymën serbëve në veri të Kosovës.

Tutje nga KMDLNJ thonë se qytetarët në asnjë mënyrë nuk duhet të pranojnë kompensimin, nëse ky kompensim ndodh përmes “uljes“ së vlerës së faturave, pasi siç thonë ata qytetarët nuk do të përfitojnë asgjë nga ky kompensim.

“Krahas kërkesës për kompensim i cili do të jetë në baza individuale, të gjithë ata që do të kërkonin kompensim, kësaj kërkese duhet t’i bashkangjesin edhe një kallëzim penal në mënyrë që ZRrE të mos kalojë pa pasoja ligjore shkaku se e bëri një veprim, fryrje të faturave për rrymën e pashpenzuar që përbënë të gjitha elementet e veprës penale”, thuhet në reagim.

Më 13 prill, Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të parashtruar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.

Nga Supremja, është thënë se nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mosinkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mospasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë.

Sipas kësaj gjykate, nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore.

Nga fundi i luftës deri më 2017, rrymën e shpenzuar në veri e kanë paguar qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës, të cilët kanë marrë fatura me rritje.

Nga 2017-ta e këndej, për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve përgjegjësia për pagesën ka kaluar te Qeveria e Kosovës.

Me Marrëveshjen për Energjinë, është paraparë që kompania Elektrosever të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore