KMDLNJ kërkon nga MSH-ja dhe MD-ja veprime për mbrojtjen e të drejtave ndaj të burgosurve

KMDLNJ thotë se të burgosurve po u mohohen të drejtat elementare të njeriut
SHFLETO

KMDLNJ

Sahide Brati
23.09.2024 13:56
Loading Icons...

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar pas vdekjes së të burgosurit javën e kaluar në Spital Rajonal të Gjilanit dhe ka vlerësuar se të burgosurve po u mohohen të drejtat elementare të njeriut.

Këto vdekje po vijnë, sipas tyre, shkaku mosangazhimit të institucioneve.

“KMDLNj shpreh shqetësim të thellë për vdekjen e të burgosurve për shkak të angazhimit të pamjaftueshëm të Ministrisë së Drejtësisë që e ka nën përgjegjësi Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që ka nën përgjegjësi Shërbimin Shëndetësor të burgjeve”, thuhet në njoftim.

KMDLNJ ka ftuar Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut që me urgjencë t’i trajtojë këto raste.

“Në bazë të mandatit që e ka t’i vizitojë të burgosurit me gjendje të rëndë shëndetësore dhe pleqëri të thellë për faktin se atyre po u mohohen të drejtat elementare të njeriut, e drejta për jetë dhe shërbime shëndetësore sikur që Ligji për Ekzekutim të Sanksioneve Penale po zbatohet në mënyrë selektive”, thuhet në komunikatën për media.

Rastet e tilla të përsëritura shkaku sëmundjeve të rënda, ata thonë se duhet të “zgjojnë alarm” te institucionet e Kosovës.

“Përkatësisht te Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Drejtësisë që të marrin veprime të menjëhershme në mënyrë që të mbrohet jeta e personave të privuar nga liria për faktin se që nga vendosja e tyre në këto institucione përkujdesja dhe përgjegjësia bien mbi këto ministri”, thuhet në njoftim.

Përpos kësaj “rastet e shpeshta të vdekjes së të burgosurve duhet të zgjojnë nga gjumi gjykatat që trajtojnë këto raste sa më parë”.

Këto ngjarje, potencojnë ata se duhet të “trokasin të edhe në ndërgjegjen e presidentes e cila, ndonëse ka të drejtë ekskluzive ligjore dhe kushtetuese deri më tani nuk ka falur asnjë të burgosur që nuk ka ndodhur as në regjimet më diktatoriale”.

Nëse të burgosurit, shtuan ata, për shkak se kanë rënë në kundërshtim me ligjin duhet të dënohen kjo nuk nënkupton se ata duhet të privohen nga të drejtat e njeriut të personave të privuar nga “liria dhe nga mëshira e shtetit”, që në raste të caktuara duhet të zbatohet.

“E drejta për jetë dhe shërbime cilësore shëndetësore është e drejta kryesore e njeriut dhe mbi këto ngritën të gjitha të drejtat tjera”.

Nga KMDLNJ-ja theksuan se Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve nuk ka kapacitete profesionale e as të tjera të trajtojë rastet e rënda, ndërkaq që përgjegjësia për vdekjen e të burgosurve adresohet te ky shërbim, vlerësojnë ata, pa asnjë arsye dhe të drejtë.

“Për rastet e rënda, Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve varet nga Forenzika Psikiatrike apo QKUK sikur edhe nga Spitalet Rajonale që kanë kapacitet pranues shumë të reduktuar për pranim të të burgosurve sikur që për rastet me rrezikshmëri të lartë duhet një sigurim shtesë gjatë transportit dhe qëndrimit në institucionin shëndetësor”.

Gjykatat përkatëse, thonë ata, se “shpërfillin skajshmërisht kërkesat e Shërbimit Shëndetësor të burgjeve për rastet me diagnozë terminale apo shkaku i pleqërisë së thellë”, andaj theksuan se ka raste të shpeshtuara të vdekjes së të burgosurve.

I burgosuri me inicialet J.I, viti i lindjes 1946, javën e kaluar kishte vdekur shkaku problemeve shëndetësore.

“Sipas raporteve mjekësore i burgosuri ishte pranuar me probleme të rënda kardiake që edhe e shkaktuan vdekjen përkundër angazhimit të personelit shëndetësor të Qendrës së Paraburgimit në Pasjak të Gjilanit t’i shpëtojnë jetën”, thuhet në njoftim.

Organet kompetente kishin njoftuar se janë duke zhvilluar procedurat ligjore të nevojshme.