Kosova

KFOR: Kemi patrullime të rregullta në kufirin me Serbinë për siguri dhe stabilitet


KFOR-i në Veri.

Misioni i NATO-së në Kosovë, KFOR, ka thënë se janë duke patrulluar vazhdimisht në kufirin e Kosovës me Serbinë.

Përmes një video të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’ nga Mitrovica e Veriut, ka thënë se janë duke garantuar “siguri” dhe “stabilitet”.

“Patrullat e rregullta dhe të sinkronizuara të kryera nga KFOR-i dhe njësitë e Forcave të Armatosura Serbe përfaqësojnë një përpjekje kyçe për këtë qellim”, thuhet në videon e publikuar nga KFOR-i.

Ndërsa kanë ritheksuar se vazhdojnë ta zbatojnë mandatin e tyre.

“Bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. NATO, KFOR, bashkë më të forte”.

Një grup i armatosur më  24 shtator, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi.

Autoritetet e Kosovës kishin akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Lidhur me sulmet terroriste, organet e rendit kishin sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan nga Policia pas sulmit, vlera e të cilave kapte shifrën 5 milion euro.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore