Kosova

KFOR-i për arrestimin e tre serbëve: U njoftuam nga Policia e Kosovës, një ditë pas ngjarjes


KFOR-i.

Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR), ka thënë se për arrestimin e tre serbëve të dyshuar për krime lufte në Kosovë më 20 shtator, u informuan nga Policia e Kosovës.

KFOR-i në një përgjigje për Albanian Post ka thënë se policia ua ka kumtuar lajmin atyre një ditë pas ngjarjes.

“Arrestimi i tre serbëve të Kosovës më 20 shtator ishte komunikuar nga Policia e Kosovës vetëm një ditë pas kësaj ngjarjeje”, thuhet në përgjigjen e KFOR për AP.

Tutje ata kanë rikujtuar deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jans Stoltenberg gjatë konferencës për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Siç ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, “ka nevojë për koordinim dhe konsultime të ngushta ndërmjet autoriteteve në Prishtinë dhe KFOR-it për çdo dislokim që mund të ndikojë në qëndrimin tonë dhe sigurinë në Kosovë”.

Ai po ashtu ka bërë të qartë se, “ne presim konsultim me kohë dhe kuptimplotë për çdo veprim të Forcës së Sigurisë së Kosovës apo Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë”.

Nga KFOR-i është potencuar se komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Ristuccia, mbetet në kontakt të rregullt me Policinë e Kosovës dhe Misionin për Sundimin e Ligjit të udhëhequr nga BE-ja, në përputhje me procedurën për koordinim paraprak që tashmë është rënë dakord mes këtyre.

Më 21 shtator, Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh (veç e veç) kundër të akuzuarve serbë – Ilija Elezoviç, Dragan Miloviç dhe Zoran Kosti – të cilët dyshohen për “krime lufte kundër popullatës civile” në Kosovë (1998-1999).

Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën tre persona të nacionalitetit serb, të cilët dyshohen për “krime të luftës kundër popullatës civile” gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndërsisa dy prej tre të arrestuarve janë nga komunat e banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë në një konferencë për media se nuk i vënë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, derisa ka shtuar se është në kontakt me institucionet për të pasur informacione të plota rreth arrestimit të serbëve në veri.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e të vrarëve gjatë luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore