Kosova

KFOR-i patrullon në Veri dhe përgjatë kufirit Kosovë-Serbi


Pamje nga patrullimi i KFOR-it

Ushtarët bullgarë në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, kanë nisur kryerjen e patrullimeve të rregullta në Komunën e Leposaviqit, njoftoi KFOR-i.

“Kjo është pjesë përbërëse e përpjekjeve të përditshme të kontingjenteve të KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërkohë ushtarët polakë në kuadër të KFOR-it, të shtunën, kanë nisur patrullimet përgjatë vijës kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.

Ndërkohë Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ndërkaq Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” se ekziston një rrezik real sa i përket hapjes së urës kryesore në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë seriozisht në sigurinë e ushtarëve të KFOR-it, duke përfshirë ata amerikanë.

“Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, ka theksuar Hovenier, krahas thirrjes për Qeverinë e Kosovës që mos të ndërmarrë veprime drejt hapjes së urës së Ibrit në këtë moment.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore