Kosova

KFOR-i kryen patrullime përgjatë kufirit me Serbinë


KFOR-i duke patrulluar kufirin Kosovë-Serbi. Foto nga 2 shkurti, publikuar nga KFOR-i.

Misioni i NATO-së në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur për realizimin e një patrullimi sigurie përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë.

Lajmin e ka bërë të ditur KFOR-i përmes një komunikate për media.

“Toga italiane e inxhinierëve ORF kryen një patrullë sigurie standarde përgjatë Vijës Kufitare Administrative”, është thënë në komunikatë.

Krahas fotografive në të cilat pjesëtarët e KFOR-it, po patrullojnë në terren, nga KFOR-i është thënë se janë plotësisht të fokusuar për zbatimin e mandatit të tyre.

“KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”, thuhet më tej në njoftim.

KFOR-i duke patrulluar kufirin Kosovë-Serbi. Foto nga 2 shkurti, publikuar nga KFOR-i.

Edhe më 8 janar, KFOR-i ka bërë të ditur se ushtarët italianë të Komandës Rajonale Perëndimore kanë kryer patrullime operative përgjatë vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim monitorimin e territorit dhe sigurimin e një kornize adekuate të sigurisë.

E po ashtu edhe më 31 dhjetor, ushtarët italianë të KFOR-it kanë zhvilluar një stërvitje specifike që ka zgjatur katër orë në Liqenin e Ujmanit në Veri të vendit ku kanë stimuluar një ulje në një mjedis jo lejues.

Ndryshe, KFOR-i u vendos në Kosovë më 12 qershor 1999, pas një fushate ajrore 78-ditore. Kjo fushatë ajrore u nis nga Aleanca në mars 1999 për të ndalur dhe kthyer katastrofën humanitare që po shpalosej atëherë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore