Familja

Kevin Costner detyrohet t’i paguajë ish-gruas së tij dyfishin e shumës së propozuar


Aktori amerikan, Kevin Costner është urdhëruar të paguajë më shumë se dyfishin e shumës së propozuar të mbështetjes së fëmijës për ish-gruan e tij, stilisten, Christine Baumgartner.

Sipas dokumenteve gjyqësore të marra nga Fox News, transmeton AlbanianPost, gjykatësi Thomas Anderle ka vendosur se ylli i “Yellowstone” duhet t’i paguajë stilistes së çantave 129 mijë e 755 dollarë në muaj për të mbështetur tre fëmijët e tyre së bashku.

Për më tepër, gjykatësi urdhëroi që Costner, 68 vjeç, duhet të paguajë 200 mijë dollarë tarifat e avokatit dhe 100 mijë sosh për shpenzimet mjekoligjore.

Ish-çiftit, të cilët u martuan në vitin 2004, do t’i kërkohet secilit të paguajë 50 për qind të shpenzimeve të kujdesit shëndetësor të fëmijëve të tyre, sporteve dhe aktiviteteve jashtëshkollore.

Vendimi vjen pasi Baumgartner, 49 vjeçe, fillimisht kërkoi 248 mijë dollarë në muaj mbështetje për fëmijët – përveç një shume të pazbuluar të mbështetjes bashkëshortore të rënë dakord më parë në marrëveshjen paramartesore.

Ylli i “Bodyguard” nuk u pajtua me shumën që ajo kërkoi, duke pretenduar se ai nuk mund të përballojë shumën që ajo dëshiron në kushtet e ndryshimit të situatës së tij të punës.

Costner akuzoi gjithashtu Baumgartner se i kishte kërkuar ato para për të financuar shpenzimet e saj personale, duke përfshirë procedurat kozmetike, blerjet në butik, tërheqjet nga ATM, kreditë e ndërtimit dhe kosto të tjera që nuk kanë të bëjnë “asgjë” me fëmijët e saj.

Costner pohoi se një shumë “e arsyeshme” e mbështetjes së fëmijëve për Baumgartner do të ishte 51 mijë e 940 dollarë në muaj, që është ajo që ai po paguante aktualisht.

Nëna e tre fëmijëve bëri kërkesë për divorc nga aktori pas 18 vitesh martesë në maj, duke përmendur “dallimet e papajtueshme”.

Që atëherë, ish-çifti është përfshirë në një betejë të çrregullt lidhur me kushtet e marrëveshjes së tyre paramartesore.

Costner kishte bërë presion që Baumgartner të lironte shtëpinë e tyre të përbashkët për javë të tëra, duke përmendur një marrëveshje paramartesore që ata të dy nënshkruan në vitin 2004, ku thuhej se ajo do të linte pasurinë e tyre martesore brenda 30 ditëve nëse do të ndodhte ndonjëherë një ndarje.

Në përgjigje, Baumgartner argumentoi se fituesi i çmimit të Akademisë nuk kishte “bazë ligjore” për ta përjashtuar atë – pavarësisht marrëveshjes së tyre paramartesore.

Megjithatë, javën e kaluar, një gjykatës urdhëroi Baumgartner të largohej nga shtëpia e tyre e përbashkët familjare deri më 31 korrik, duke respektuar kushtet e paramartesës së tyre ekzistuese.

Megjithëse avokatët e saj argumentuan se ajo nuk kishte kohë ose para të mjaftueshme për të gjetur një vend tjetër për të jetuar deri në fund të muajit, kërkesa e tyre për një zgjatje u refuzua përfundimisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore