Kosova

KEDS-i reagon ndaj ZRRE-së: Gjoba e shqiptuar thellon krizën energjetike


KEDS.

KEDS dhe KESCO, kanë reaguar ndaj gjobës që ka shqiptuar Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ndaj tyre.

Të njëjtit kanë thënë se lajmin për gjobën për KESCO-n në vlerë prej 8.4 milionë euro dhe për KEDS-in në vlerë prej 2,7 milionë euro e kanë pranuar përmes komuanikatës për media.

“Nga kjo deklaratë shihet qartë se Bordi i ZRRE-së, në mënyrë që t’i shkarkojë përgjegjësitë e mosveprimeve të vazhdueshme të tij, ka vendosur t’i gjobisë vetëm operatorët KEDS dhe KESCO, bazuar në të gjeturat e stafit profesional. Pasojat e këtij dënimi, në të njëjtën mënyrë, po ia bartë stafit profesional”, është thënë nga KEDS-i.

KEDS-i ka përmendur edhe ndihmën që vendet e rajonit i kanë ofruar ndaj operatorëve.

“Të gjitha vendet e rajonit i kanë mbështetur operatorët në sektorin e energjisë elektrike me një sërë masash, në mënyrë që të sigurojnë qëndrueshmërinë e sistemit të tyre elektroenergjetik”.

“Rregullatori, si i vetmi autoritet përgjegjës në funksionimin e shëndoshë dhe të qëndrueshëm të sistemit energjetik, ka dështuar të përmbushë detyrimet e ofruara me ligj, duke mos vepruar dhe, si rrjedhojë, e ka futur sistemin energjetik në një krizë akoma më të thellë”.

Bordi i ZRRE-së.

“Duke e thelluar dhe rrezikuar qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik në periudhën e dimrit të vështirë që e kemi përpara. Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji e ka lënë në “mëshirë të fatit” sektorin e energjisë elektrike”.

Sipas kësaj kompanie, kërkesat ndaj ZRRE-së për ndihmë kanë qenë të vazhdueshme duke e ditur që edhe Kosova është duke kaluar në një krizë energjetike.

Por, që nga ZRRE-ja nuk janë ndërmarrë veprime.

“Edhe pse sinjalet e para të krizës energjetike janë shfaqur në korrik të vitit 2021, Zyra e Rregullatorit për Energji, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga operatorët KEDS dhe KESCO, nuk ndërmori asnjë masë për parandalimin e kësaj krize”.

“Në shkurt të këtij viti, Rregullatori mori një vendim të vonuar, i cili nuk dha asnjë rezultat në tejkalimin e krizës, duke i detyruar operatorët që të operojnë nën kosto”.

Përmes, këtyre veprimeve KEDS konsideron se janë krijuar çrregullime, konfuzion dhe kosto shtesë në këtë sektor.

“Për më tepër, edhe pse sektori i energjisë elektrike është në gjendje emergjente që nga dhjetori i vitit të kaluar, Rregullatori këmbëngul të mos ndërmarrë asnjë veprim”.

Vendimi për të gjobitur KEDS-in dhe KESCO-n është marrë nga bordi i ZRRE-së në mbledhjen e mbajtur të mërkurën.

Nga bordi është thënë se janë shqyrtuar edhe disa ankesa të konsumatorëve dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit si dhe të ZRRE-së.

ZRRE-ja gjobit KESCO-n dhe KEDS-in

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore