Kosova

Kasanof: Duam të shohim përparim në dialog


Alexander Kasanof

Deleguari i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, i cili në këtë pozitë zëvendësoi Gabriel Escobarin, ka potencuar se SHBA-të dëshirojnë të shohin përparim në procesin e dialogut e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“SHBA-të dëshirojnë që të bashkëpunojë me Kosovën dhe Serbinë për të parë se si mund të bëhet përparim që do të kontribuojë edhe në rajon”, ka thënë Kasanof në një panel të Iniciativës Pupin të mbajtur në Uashington, transmeton Zëri i Amerikës, edicioni në gjuhën serbe.

Top-diplomati amerikan duke folur për marrëdhëniet me Serbinë ka vlerësuar se ajo duhet të vazhdojë rrugëtimin e saj euroatlantik për përfitim reciprok.

“Ajo rrugë ka përfitime të shumta për Serbinë, por edhe për zonën euroatlantike. Këto janë fushat e energjisë, bashkëpunimit të sigurisë, mbështetjes për Ukrainën, këto çështje janë shumë të rëndësishme për ne dhe janë rrugë të integrimit serb, por edhe mënyrat që SHBA-ja të forcojë bashkëpunimin me Serbinë”, ka shtuar ai.

Kasanof ndër të tjera theksoi se është shumë e rëndësishme që Serbia në bashkëpunim me Bashkimin Evropian (BE) dhe SHBA-në të kujdeset që “të mos ketë kthim të nacionalizmit”.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj skenarëve të tillë. Kjo mund të kërcënojë potencialin e bashkëpunimit. Partneriteti me Serbinë dhe dialogu i ndershëm mund të kontribuojnë në tejkalimin e këtyre sfidave dhe realizimin e vizionit të bashkëpunimit euro-atlantik”, ka pohuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore