Sport

Ka një herë të parë për gjithçka


Trajneri i West Bromwich Albion, Sam Allardyce, thotë që “fjalët nuk mund ta përshkruajnë” se sa shumë i dhemb rrëzimi i parë nga kategoria në karrierën e tij.

Humbja ndaj Arsenal-it të dielën e konfirmoi që West Brom do të rikthehet në Championship sezonin e ardhshëm.

Por, ende nuk dihet nëse 66-vjeçari do të jetë trajner i klubit sezonin e ardhshëm.

Pas ndeshjes, ai tha që është “ende shumë herët për të vendosur për këtë”.

“Nuk do t’i përgjigjem pyetjes se a do të qëndrojë këtu apo jo, do jetë thjesht kohë e humbur, sepse nuk do të përgjigjem”, tha Allardyce.

Ish-trajneri i Anglisë shtoi: “Gjithçka varet pasi të vendosen kushtet. Për momentin nuk di asnjë kusht”.

“Jam shumë i mërzitur për momentin, nuk mund të përgjigjem”.

Allardyce zëvendësoi Slaven Bilic-in në krye të West Brom-it në dhjetor të vitit 2020.

Përkundër aftësive të tij të jashtëzakonshme për t’i shpëtuar skuadrat nga rënia, ai nuk ia doli këtë herë.

Në këtë mënyrë, West Brom u bë skuadra e dytë që ka rënë nga kategoria pesë herë, aq sa Norwich City.

“Është e dhimbshme. E doja vendin e 17-të më shumë për lojtarët sesa për veten”.

Ai u dërgoi një mesazh futbollistëve, duke u kërkuar që të qëndrojnë të fortë dhe ta mbyllin sezonin në mënyrën më të mirë.

Në mbi dy dekada si trajner i futbollit, kjo është hera e parë që njeriu, i njohur me nofkën “Big Sam”, përjeton rënien nga kategoria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore