“S’i shërben interesit të shtetit” – Kundërshtohen ashpër sulmet e Kurtit për mediat nga New York

Kurti sulmoi mediat dhe opozitën nga New Yorku, por që u kundërshtua ashpër në Kosovë.
SHFLETO

Albin Kurti gjatë fjalimit në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste në New York.

 

Dini Fetahu
28.09.2024 18:32
Loading Icons...

Sulmi i kryeministrit Albin Kurti, ndaj mediave dhe opozitës ka bërë që të ketë reagime të shumta kundërshtuese, duke filluar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), akterë të shoqërisë civile e opozita.

Të gjithë, në reagimet e tyre, sulmet e Kurtit i kanë konsideruar si “jopatriotike”, “joetike”,  që “s’i shërben interesave të shtetit”, e të ngjashme.

Kryeministri Kurti, në një fjalim në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste që u mbajt në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), ka akuzuar partitë opozitare se po financojnë media të ndryshme me paratë e pista.

“Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista”, tha Kurti.

Ai pretendoi se partitë opozitare – të cilët kanë qenë në pushtet njëherë e një kohë – po frikësohen nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, prandaj po synojnë “të frikësojnë edhe të tjerët”, duke shpërndarë, sipas tij, para “tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata”.

Por, reagim ndaj këtyre deklaratave të kreut të ekzekutivit kosovar pati nga AGK-ja, ku e dënuan “ashpër sulmin e fundit ndaj mediave” të bërë nga kryeministri.

AGK-ja, përmes një komunikate për media të premten, ka thënë se e ka parë me “shumë shqetësim” një përpjekje të tillë “të papranueshme për të minuar kredibilitetin e mediave në Kosovë pa asnjë fakt dhe argument”.

“Në raportin e fundit të Reporterëve Pa Kufij, Kosova ka shënuar rënie drastike prej 19 vendesh sa i përket lirisë së shtypit, andaj ftojmë Kryeministrin Albin Kurti të përmbahet nga fushata të tilla dhe nga paralajmërimet e tij politike për përndjekje dhe mësymje ndaj mediave e gazetarëve mbi aludime të pa argumentuara, gjë që e përkeqëson edhe më tej situatën në vend sa i përket lirisë së medias dhe ambientit të të bërit gazetari”, thuhet në komunikatë.

Problematizimi i çështjes së dezinformatave dhe lajmeve të rreme, për të cilat pretendon kryeministri Kurti, sipas AGK-së “nuk bëhet në asnjë mënyrë duke cenuar rëndë dhe pa asnjë argument kredibilitetin e mediave”.

Duke reaguar për këtë çështje, Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se një qasje e tillë është “jo etike, jo patriotike, e papërgjegjshme dhe neveritëse”.

“Në mungesë të sukseseve në qeverisje, gjuha e Kryeministrit është reduktuar në akuza, sharje e shpifje për këdo që nuk mendon si ai”, shkroi Çitaku në Facebook.

Polarizimi, popullizmi dhe armiqësimi, sipas saj, “janë mjetet e vetme të punës që e njeh kjo kastë qeverisëse”.

Ndërsa, ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, një qasje të tillë të Kurtit, e ka cilësuar si akt “jopatriotik”, meqë, sipas tij, kryeministri po përdor paratë e taksapaguesve “jo për të lobuar” në ShBA për ndonjë njohje të re, por për “të sulmuar e kërcënuar opozitën dhe mediat kosovare”.

“Albini i zemëruar është kthyer. Kryeministri i Kosovës mban një fjalim në Internacionalen Socialiste në New York dhe shfrytëzon rastin për të sulmuar ‘regjimin e vjetër’ në Kosovë”, ka shkruar ai në platformën X.

Nga të shumtë që ka reaguar ka qenë edhe Drejtori i Institutit të Kosovës për Hulumtimin dhe Zhvillimin e Politikave (KIPRED), Lulzim Peci.

Sipas tij, Kurti nuk e ka zgjedhur audiencën e duhur në New York, sidomos kryesuesin e socialistëve, Kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez, për të thënë atë që e ka thënë aty, pra sulmin ndaj mediave.

“Projektimi i qeverive të kaluara të Kosovës si ‘regjim i vjetër’ thuajse fitorja VV të kishte ardhur përmes revolucionit, e jo me zgjedhje të lira, të cilat u pranuan menjëherë nga partitë tanimë opozitare, nuk i benë nder as vendit dhe as qeverisë së tanishme”, shkroi Peci në Facebook.

Për më tepër, zgjedhja e këtij tubimi për të sulmuar mediat në Kosovë nga New Yorku, ish-ambasadori i Kosovës në Suedi tha se me siguri se e ka lënë syhapur Sanchezin.

“Pse po e them këtë? Opozita e djathtë spanjolle dhe një pjesë e mediave për një kohë mjaft të gjatë e kanë keqshqiptuar qëllimisht emrin e kryeministrit Pedro Sanchez si ‘Perro Sanchez’ – ne shqip ‘Qeni Sanchez’”, shtoi.

Ai tregoi se kryeministri spanjoll në vend se të kërkonte mbylljen e mediave dhe hapjen e lëndëve në gjykata, ai e përqafoi këtë pseudonim denigrues të opozitës dhe mediave kundërshtare, duke e bë edhe një meme “Perro Sanxe” apo Qeni Sanxe”.

“Me këtë qasje ai arriti qe t’i bëjë për vete shumicën e votuesve të rijnë spanjoll. Kështu Sanchezi luftoi në zgjedhjet e përgjithshme në vitin e kaluar, dhe u bë përsëri kryeministër, përkundër të gjitha gjasave për humbje!”.

Fjalimet në këto forume me përmbajtje të tilla, në vlerësimin e Pecit, “nuk i shërbejnë avancimit të interesave partiake, e leje më atyre shtetërore”.

“Ato nuk janë forume për fushata zgjedhore!”.

Duke ironizuar, Peci potencoi se në vijim të sukseseve në politiken e jashtme, “rekomandoj që lobuesit në Spanjë t’ia rritni të ardhurat mujore në 10,000 Euro”, duke iu referuar Gani Jakupit, i cili është angazhuar nga Ministria e Punëve të Jashtme në zyrën e ambasadorit të Kosovës në Bruksel të Belgjikës me pagë prej 7 mijë e 500 euro.