Kosova

“Jemi të zhgënjyer” – vajza e Sadik Durakut thotë për BBC se qeveria britanike s’bëri sa duhet për lirimin e babait të saj që u arrestua në Serbi


Sadik Duraku vazhdon të mbahet në paraburgim në Serbi që nga 17 prilli pasi u arrestua derisa po kalonte kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë si i dyshuar për krime lufte.

Për mbajtjen e 54 vjeçarit prapa grilave ka shkruar një artikull edhe mediumi britanik “BBC”.

Ndërsa familja e tij ka kërkuar ndihmë nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, meqë vajza e tij Zana është shprehur bindur në pafajësinë e babait të saj.

“Nuk ka asnjë moment gjatë ditës ku nuk jemi stresuar për këtë”, tha Duraku për prestigjiozen britanike, derisa ka theksuar se Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka bërë sa duhet për ta liruar Sadikun që ka nënshtetësi britanike.

“Ai është britanik, dhe kështu menduam se qeveria jonë do të mbronte të drejtat e tij dhe të kujdesej për të. Por, nuk është bërë dhe ne jemi pafundësisht të zhgënjyer”, theksoi ajo.

Familja e tij ka mbledhur dokumente të shumta për të dëshmuar se ai ishte në Mbretëri të Bashkuar dhe nuk kishte dokumentet e nevojshme për t’u larguar nga vendi nga dhjetori i vitit 1998 deri në marrjen e shtetësisë britanike më 2002.

Ndërsa avokati i Durakut, Michael Polak, shprehet i befasuar me arrestimin e klientit të tij, meqë thotë se e gjithë çështja është mbështetur kryesisht në një letër.

“Është shumë e pazakontë të bazohet një rast për krime aq serioze, si krime lufte, në këtë lloj dokumenti. Rastet e krimeve të luftë zakonisht kanë grumbuj të dëshmive për lëvizjet dhe veprimet”, potencoi Polak.

“Këto janë akuza për krime lufte të bazuara në dëshmi vërtetë të dobëta të kësaj letre. Po flasim për dikë me probleme shëndetësore, që duhet të lirohet me kusht dhe të kthehet në Mbretëri të Bashkuar”, shtoi.

Polak sqaroi tutje se është e vështirë të thuhet se cilat janë motivet prapa këtij rasti.

Ndërkaq Zyra e Prokurorisë së Serbisë për krime të luftës nuk është përgjigjur në kërkesën e BBC-së për këtë çështje.

Frika dhe shqetësimet e familjes po rriten për shkak të shëndetit të brishtë të Durakut.

Së fundi ai ka pësuar një sulm në zemër dhe është me medikamente, të cilat familjarët ia kanë dorëzuar gjatë vizitës në burgun në Beograd.

Ndërkaq nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës patën njoftuar se përfaqësuesi i zyrës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, i kishte dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për ta marrë informacionet rreth arsyeve të arrestimit të Durakut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore