Kosova

Ish aktivisti i VV-së nga Lugina: Aliu më kërkoi që edhe me armë të kundërshtohet Pakoja e Ahtisaarit


Ish aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje nga Lugina e Preshevës, Naim Ramizi dhe ministri Liburn Aliu.

Ish aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje nga Lugina e Preshevës, Naim Ramizi, ka deklaruar se ministri i Mjedisit, Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, në vitin 2007 i kishte kërkuar atij që ta kundërshtonin Pakon e Ahtisaarit edhe me armë.

Ramizi ka theksuar se kjo kërkesë s’ishte bërë vetëm ndaj tij, por edhe ndaj miqve të tij.

“Ka qenë fundi i vitit 2007 edhe Liburn Aliu, më ka thirrur në telefon dhe jemi takuar dhe ka thënë që ne duhet të organizohemi sepse kjo çka po i servohet Kosovës, është projekt pro serb”.

“Ministri që e ka konsideruar këtë shtet të përkohshëm, në një kohë të kaluar që unë nuk e kam thënë deri sot pak para pavarësisë së Kosovës, më ka ftuar në një takim këtu në Prishtinë dhe ka kërkuar nga unë dhe shokët e mijë që edhe në formë të armatosur ta kundërshtojmë Pakon e Ahtisaarit”, deklaroi ai për emisionin “Frontal”.

Për deklaratat që ai dha u shpreh se është i gatshëm të mbajë çfarëdo përgjegjësie.

“Duke e ditur që unë kam qenë një veteran lufte dhe kam pasur shumë shokë të ikur nga atje dhe për këtë që thashë mbajë përgjegjësi morale e penale, cilado qoftë ajo se Liburn Aliu, nga unë ka kërkuar që edhe me armë të kundërshtohet pakoja e Ahtisarit”.

Më 10 shkurt, u bënë 17 vjet prej kur mijëra protestues kishin kundërshtuar dokumentin e Ahtisarit, protestë kjo që kishte eskaluar në momentin që ishin hequr rrethojat e vendosura në mes të shtetit.

Nga kjo protestë kishin mbetur të vdekur dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj.

Policia rumune e UNMIK-ut ishte ajo që reagoi në mënyrë të dhunshme duke përdorur edhe armë vdekjeprurëse.

Në këtë protestë kishte edhe shumë të plagosur, e po ashtu ishte përdorur edhe lotsjellësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore