Boterori 2022

Irani kërcënoi familjet e ekipit kombëtar të futbollit, sipas CNN


Familjet e ekipit të futbollit të Iranit janë kërcënuar me burgim dhe tortura nëse lojtarët nuk “sillen mirë” përpara ndeshjes kundër SHBA-ve të martën e 29 nëntorit.

Lajmi u bë i ditur nga multimediali amerikan “CNN”, duke cituar një burim të përfshirë në sigurinë e ndeshjeve.

Pas refuzimit të lojtarëve iranianë për të kënduar himnin kombëtar në ndeshjen e tyre hapëse kundër Anglisë më 21 nëntor, burimi tha se lojtarët u thirrën në një takim me anëtarët e Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC).

Burimi theksoi se atyre u ishte thënë se familjet e tyre do të përballeshin me “dhunën dhe torturën” nëse nuk këndonin himnin kombëtar ose nëse i bashkoheshin ndonjë proteste politike kundër regjimit të Teheran-it.

Lojtarët kënduan himnin para ndeshjes së tyre të dytë kundër Uellsit të premten e kaluar, e cila përfundoi me fitoren e Iranit 2-0.

Burimi, i cili po monitoron nga afër agjencitë e sigurisë të Iranit që veprojnë në Katar gjatë periudhës së Kupës së Botës, tha se dhjetëra oficerë nga IRGC-ja ishin thirrur për të monitoruar lojtarët iranianë që nuk lejohen të përzihen jashtë skuadrës ose të takohen me të huaj.

Carlos Queiroz, trajneri portugez i ekipit kombëtar të Iranit, u takua veçmas me oficerët e IRGC-së pas kërcënimeve të tyre ndaj lojtarëve iranianë dhe familjeve të tyre, tha burimi.

Burimi nuk tha se cila ishte përmbajtja e asaj bisede të supozuar. Queiroz ka thënë se lojtarët iranianë mund të protestojnë në Kupën e Botës, por vetëm brenda rregulloreve të FIFA-s.

Lojtarëve, tha burimi, u ishin premtuar “dhurata dhe makina” përpara ndeshjes së Anglisë, por regjimi, sipas burimit, kishte kaluar në kërcënimin e lojtarëve dhe familjeve të tyre pas poshtërimit të refuzimit të ekipit për të kënduar himnin e tyre kombëtar.

Irani dhe SHBA-të luajnë me njëri-tjetrin në mbrëmje në një ndeshje vendimtare të Grupit B.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore