Kosova

Intervista eksplozive e Glauk Konjufcës – Asociacioni bëhet për 1 minutë, por vetëm pasi të kemi njohje de facto, aktualisht kush e bën është tradhtar


Glauk Konjufca

Kosova e ka pranuar marrëveshjen në të cilën zotohet për formim të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, që dikur thoshte se 11 nenet e inspiruar nga Marrëveshja Bazë e dy Gjermanive janë rast që s’duhet humbur, tash thotë se Kosova s’ka asnjë obligim për themelimin e Asociacionit, “hiç kurrfare”.

Sipas tij, marrëveshja në fakt është edhe e pavlefshme, sepse qysh në start nuk u nënshkrua nga pala serbe, pasi “Vuçiç e ka mashtruar bashkësinë ndërkombëtare” dhe se krejt çfarë po ndodhë tani është “bashkësia ndërkombëtare po mundohet të gjejë mënyra si ta arsyetojë këtë mashtrim që ju ka bërë”.

Konjufca e dinte qysh në ditën e parë të arritjes së marrëveshjes se ajo nuk është nënshkruar, por prapë e kishte përkrahur si arritje.

Tani, befasisht, thotë se mos nënshkrimi paraqet problem të pakalueshëm dhe e shndërron akordin në jo serioz.

“Hajgare është kjo”, deklaroi ai në emisionin DPT te Fidani në Televizionin “A”.

“E ka mashtruar bashkësinë ndërkombëtare pasi ka thënë nuk mund ta vë nënshkrimin fizik në marrëveshje, kjo është hajgare, qysh nuk mundësh me e nënshkru marrëveshjen, për çka ke ardhë në tavolinë o zotëri?”, e pyet Konjufca Vuçiç-in nga larg.

Por, pse u kujtua Konjufca që vetëm pas shtatë muajsh ta bëjë këtë pyetje?

Nuk e shpjegon, veçse shtjellon sjelljen jo serioze të presidentit serb.

“Prapa kamerave u ka thënë se nuk mund të nënshkruaj se prokurori e pret në aeroportin e Beogradit edhe e fut në burg, hajgare është kjo. Çka ka bo Borrelli, Borrelli ka thënë po mirë z. Vuçiç-i a mund të themi ne se e ki pëlqimin e Marrëveshjes”.

“Kjo është jo serioze, më fal”, vazhdon qortimi i Konjufcës, tash për Bashkimin Evropian.

Përkundër se e përqesh marrëveshjen, më pas nuk e kundështon atë. E dëshiron të zbatueshme, por ankohet se është Serbia që s’po i përmbahet.

Asociacioni s’është i mirë, por është i pranueshëm nëse Serbia e njeh Kosovën de facto, deklaron Konjufca.

Si shënohet njohja de facto, sipas tij.

Fillimisht të anulohen deklarata si ajo e Ana Brnabiç, kur i referohet Kosovës si pjesë e Serbisë, pohon.

Prandaj nëse Qeveria e Kosovës, vazhdoi Konjufca, e sheh se asnjë milimetër nuk ndryshon Serbia në këtë drejtim atëherë vendi nuk ka kurrfarë obligimi në raport me Asociacionin.

Rruga që e dëshiron Serbia është kjo: “njëherë Asociacioni në formën e kompetencave ekzekutive e më pastaj pranimi i Kosovës, pranim ky për të cilën bashkësia ndërkombëtare tek me formimin e Asociacionit do të tentojë ta bind Vuçiç-in për ndonjë afirmim të shtetësisë së Kosovë”.

Prandaj, për kryetarin e Parlamentit të Kosovës është tradhtar ai që vendos ta formojë Asociacionin në këtë kohë, kur Serbia s’ka lëvizur fare.

“Është mashtrim shumë i madh (formimi i Asocaicionit pa njohje) edhe ka me hy si tradhtar në Historinë e Kosovës kush e bënë këtë”, deklaroi Konjufca.

Përndryshe, nëse Serbia do të aplikonte me besnikëri nenet e para të marrëveshjes, atëherë Konjufca pohon se zgjidhja bëhet e lehtë.

“Kur ndodh njohja de facto nga ana e Serbisë, pastaj obligimin që e kemi për 2013 shumë lehtë bëhet, e bën një mekanizëm koordinues të disa kompetencave komunale, ajo bohet për dy orë, menjëherë bëhet drafti i Asociacionit, për 1 minutë bëhet”.

“Por, Serbia kur thotë ti ke me pësu si Ukraina, Serbia i ka 48 baza në kufi me Kosovën, o zotëri kështu nuk ka Asociacion, nuk ka Asociacion kështu jo për besë, më vjen keq, por nuk ka”.

E çka më pas?

“Vazhdon procesi deri në bindjen e Serbisë për me na njoh de facto. Duhet me u përkul Vuçiç-i para gjenocidit, marre, turp çfarë kemi bërë, kurrë më nuk ndodh edhe kriminelët para drejtësisë. Ndryshon sjellja e Serbisë, e pranon flamurin i pranon simbolet, bëhet tregtia e lirë, edhe bohet Asociacioni”, shtoi ai.

Po nëse bashkësia ndërkombëtare vazhdon favorizon kushtin e Serbisë së pari Asociacioni tani nenet e tjera të Marrëveshjes?

“Atëherë shkojmë në arbitrazh, ka arbitrazhe që interpretojnë Marrëveshjen, arbitrazhi e merr Kosovën edhe thotë Kosova me Serbinë dy shtete sovrane”, potencoi ai, duke shtuar se Marrëveshja Bazë po e cilëson Kosovën dhe Serbinë si dy shtete sovrane ndërsa Serbia po insiston në “Kosova Metohija”.

“Këto nuk shkojnë, Serbia duhet të ndryshojë”.

Prandaj mbi këtë premisë ai u shpreh edhe mjaft pesimist për takimin e radhës më 14 shtator në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Nga takimi nuk pres asgjë, Vuçiç ka me thonë ‘Kosova e Metohija’, Albin Kurti ka me thonë Kosova Republikë edhe kanë me u kthy secili në shtetet e veta”.

Marrëveshja Bazë e dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel e i përforcuar më 18 mars në Ohër me Aneksin për zbatimin përbëhet prej 11 nenesh.

Marrëveshja nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insistoi Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore