Kosova

Infermierët protestojnë para SHSKUK-së: Kërkesat tona janë kërkesa bazike


Greva njëorëshe e profesionistëve shëndetësorë

Rritja e koeficientit të pagave në 7.1, pagesa e ndërrimit të natës nga 18 në 36 euro si dhe pagesa e ditëve të punës në festa dhe vikende, ishin disa nga kërkesat e infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë të sektorit publik, të cilët të martën e 5 prillit kanë mbajtur një grevë njëorëshe para drejtorisë së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Elirat Duraku, nga kryesia e Sindikatës së Infermierëve, para mediave ndërsa protesta po vazhdonte tha se kërkesat e këtij komuniteti shëndetësor nuk janë kërkesa të parealizueshme.

“Që nga paslufta asnjë kërkesë i komunitetit të infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor nuk është realizuar, as kushtet e punës nuk na janë rregulluar e lëre më në rregullimin e mirëqenies sociale. Kërkesa tona janë kërkesa bazike dhe nuk janë kërkesa luksoze”, ka thënë Duraku.

Sipas Durakut, nëse kërkesat e tyre nuk realizohen, rrjedhimisht ata do e përshkallëzojnë veprimet e tyre sindikale.

Në anën tjetër, Fitim Havolli potencoi se mostrajtimi i dinjitetshëm i infermierëve ka shpeshtuar numrin e tyre të cilët po kërkojnë të ikin nga Kosova.

“Ky komunitet sivjet sipas informatave që i kemi vazhdimisht kanë ikur nga vendi për mostrajtimin e tyre të dinjitetshëm. Tash e kam informatën se dyfishi i tyre do të ikë nga vendi për shkak të këtij trajtimi dhe mosrealizimit të kërkesave tona për vite”, ka shtuar Havolli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore