Ibrahimovic mund të luajë ndeshjen tjetër, pavarësisht katronit të kuq

SHFLETO
albanianpost
13.04.2021 10:01
Loading Icons...

Ylli i skuadrës së Milanos, Zlatan Ibrahimovic, mund të luajë në ndeshjen e ardhshme, pavarësisht se ai ishte ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e fundit që “kuqezinjtë” e fituan ndaj Parmës.

Ibra u ndëshkua nga gjyqtari Fabio Maresca për arsye se ai kishte ofenduar gjyqtarin e ndeshjes, mirëpo këtë gjë vetë Maresca e kishte mohuar, duke thënë pas ndeshjes se kishte keq-interpretuar me fjalët e Ibras.

Avokati i Milanit, Leandro Cantamessa thotë se Zlatan Ibrahimovic mund t’i shpëtojë një suspendimi nëse gjyqtari Fabio Maresca pranon se ai e kishte keqkuptuar atë që tha sulmuesi i Milanit.

“Gjithçka varet nga ajo që Maresca shkruan në raportin e tij,” tha fillimisht avokati i klubit të Milanos, Cantamessa.

“Nëse ai kishte dyshime për atë se çka dëgjoi, duhet ta shkruajë atë dhe çështja mund të ketë një kthesë të papritur”, shtoi ai.

“Nëse gjyqtari pranon se kishte gabuar, atëherë Ibra mund të luajë ndeshjen tjetër pavarësisht se iu dha një karton i kuq në ndeshjen e mëparshme”, përfundoi Cantamessa.

Milano u përball me Parmën në kuadër të javës së 30-të në Serie A, të cilën “kuqezinjtë” e fituan me rezultat 1:3.

Ndërsa, Ibra e la ekipin e tij me një lojtar më pak, pasi u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 60-të, atëherë kur ishin duke fituar me rezultat 0:2.

Kjo gjë bëri që vendasit të shtojnë presionin dhe të ngushtojnë epërsinë, mirëpo në minutat e fundit të takimit, zëvendësuesi Rafael Leao përsëri e dyfishoi epërsinë në 1:3, me të cilën përfundoi takimi.

Milano, ndeshjen e ardhshme luan me Genoan, dhe Rossonerët janë duke pritur për vendimin të federatës lidhur me sulmuesin e tyre Zlatan Ibrahimovic.