Kosova

Hyseni: Politika e jashtme është anemike shkaku i Osmanit e Kurtit


Ish ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni.

Ish ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, është deklaruar se statuti i Asociacionit, duhet të bëhet nga ekspertët që si i tillë të mos ndërhyjë në asnjë nivel të qeverisjes në Kosovë.

“Është çështje e hartimit të statutit dhe aty natyrisht do të kërkohet kreativitet nga institucionet e Kosovës, nga ekspertët që do të merren me atë punë në mënyrë të sigurohemi që Asociacioni nuk ndërhynë në asnjë mënyrë, në asnjë nivel të qeverisjes në Kosovë e sidomos duhet të sigurohemi që Asociacioni nuk duhet të përbëjë një rrafsh të tretë të Qeverisë”, ka thënë Hyseni.

Ndërsa, politikën në Kosovë ai po e konsideron të dështuar ndërsa fajëson presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Punëve të Jashtme,  Donika Gërvalla.

“Nuk e di a do të ngec, sidoqoftë ka ngecur tani për tani dhe kjo vjen kryesisht si rezultat kam frikë unë nuk do të doja të ishte ashtu si mendoj unë vjen si rezultat i një politike të jashtme që është krejtësisht anemike, krejtësisht fëmijërorë e të tria institucioneve kyçe të Kosovës që e bëjnë politikën e jashtme, presidentja, kryeministri dhe ministrja e jashtme”.

“Për gjatë një viti unë nuk kam parë që ata të kenë bërë diçka tjetër përpos përpjekjeve shumë të habitshme, të pa shpjegueshme që Kosovën në botë ta paraqesin si vend të korrupsionin, të krimit dhe duke u përpjekur që Kosova të definohet si e tillë. Në kohën kur të gjithë e dimë besoj që nuk është ashtu”.

Ilustrim.

Hyseni, ka apeluar që kërkesa e partnerëve ndërkombëtar të mos quhet si presion.

“Në rrethanat kur Kosova do ta njoh Serbinë si shtet dhe Serbia do ta njoh Kosovën si shtet unë nuk e shoh aspak problematike dhe shqetësuese çështjen e asociacionit prandaj unë nuk e quaj presion ndërkombëtarë. Më parë e quaj një këshillë dashamirëse nga partnerët kyç të Kosovës në rend të parë SHBA-ja po pse jo edhe BE dhe ne duhet të mësohemi përfundimisht që të mos e shqiptojmë këtë fjalën presion aq lehtë edhe aq pa e menduar”.

Sipas tij, politika e jashtme e një vendi duhet të synojë që ta afirmojë vendin e vet, t’i afirmojë të arriturat që janë të shumta.

“Askush s’mund ta mohoj që Kosova për këto 20 vjet ka bë progres të jashtëzakonshëm në shumë fusha. Vetëm për 20 vjet ne ia kemi dalë që ta rindërtojmë  vendin ta ndërtojmë një infrastrukturë solide për vendin, të ndërtojmë një sistem juridik e kushtetues të jashtëzakonshëm, të vendosim të gjithë institucionet kyçe të qeverisjes në vend dhe Kosova ka bë përparime të jashtëzakonshëm në këtë rrafsh”.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore