Kosova

Hoxhaj: Qeveria dështoi t’i ruante njohjet e siguruara


Ish-ministri i Punëve të Jashtme nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj

Ish-ministri i Punëve të Jashtme nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, konsideron se Qeveria e Kosovës, nuk ka treguar prioritet për të siguruar njohje të reja.

Sipas tij, Qeveria ka dështuar edhe t’i ruajë njohjet që janë siguruar ndër vite.

“Duhet ta bëjmë një dokument, i cili do duhej të përfshijë veprimet që i ka marrë Serbia gjatë këtyre viteve të fundit, cilat vende i kanë vizituar serbët, me cilët njerëz kanë biseduar, e kështu më radhë, dhe mandej të dilet me një analizë të plotë të të gjitha shteteve të cilat e kanë njohur Kosovën, të shihet se cilat kanë qenë vizitat e fundit”, thotë ai.

“Por këta rrinë në Prishtinë, zonja Osmani, kryeministri Kurti e zonja Gërvalla rrinë në Prishtinë, shkojnë herë pas here në ndonjë konferencë ndërkombëtare, flasin më shumë gjeopolitikë evropiane dhe për atë se çfarë po ndodh në Ukrainë dhe agresionin rus, sesa të marrin veprime konkrete që ta mbrojnë interesin vital të Kosovës në raport me fushatën e egër të cilën po e bën Serbia”.

Ndërtesa e MPJD-së

Për ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Qeveria gjatë kësaj periudhe do të mund të siguronte 5 deri në 7 njohje në vit.

“Qeveria Kurti prej ditës kur është votuar, ka treguar që nuk ka plan, nuk ka vullnet dhe ambicie për të bërë ndonjë punë në politikën e jashtme, dhe njohjet nuk kanë qenë prioritet, se unë jam i sigurt që edhe në kontekstin e ndryshuar ndërkombëtar, nuk do të ishte e mundur të sigurohen 10 deri 15 njohje në vit, sesa kam siguruar unë kur kam qenë ministër i Jashtëm falë punës së kolegëve në Qeveri, por jam i sigurt se vendi do të mund të merrte pesë deri në shtatë njohje çdo vit”, ka thënë Hoxhaj për EO.

Si zgjidhje të duhur, ai e sheh hartimin e një strategjie sikurse që vetë ai e kishte bërë në vitin 2011.

“Strategjia do të duhej të përfshijë vendet të cilat janë afër njohjes së Kosovës, vendet të cilat kanë qëndrim neutral në raport me Pavarësinë e Kosovës, dhe vendet të cilat janë kundërshtare, dhe për secilin rast të bëhet një analizë e plotë se çfarë qëndrime kanë ata në janar të këtij viti e çfarë kanë pasur në të kaluarën”.

Ministri i Punëve të Jashtme të Togos, Robert Dussey, përmes një cicërime në Twitter kishte njoftuar se gjatë vizitës së tij në Serbi ka nënshkruar një marrëveshje për largimin e vizave mes dy shteteve, pasi shteti i tij ka vendosur ta tërheq njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Sot kam nënshkruar një marrëveshje diplomatike për përjashtimin e vizave ndërmjet Togos dhe Serbisë. Tani zyrtarët togolezë mund të hyjnë në Serbi pa vizë. Ne po vazhdojmë negociatat”, kishte shkruar ai.

Ndryshe, Togo kishte njohur pavarësinë e Kosovës më 11 korrik të vitit 2014.

Çnjohjet e Kosovës nga vendet e treta kishin nisur në vitin 2018 si pasojë e fushatës agresive kundërlobuese të Serbisë, kryesisht përmes ideatorit Ivica Daçiç, për të vazhduar më pas me përpjekjet shantazhuese kundër pavarësisë së Kosovës edhe në vitin 2023.

Ndryshe, Qeveria aktuale e Kosovës tash e dy vjet nuk ka arritur të sigurojë njohje të reja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore