Kosova

Hovenier: ShBA pret zbatim urgjent të marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, pa asnjë parakusht


Jeff Hovenier dhe Albin Kurti në një nga takimet e tyre në kryeministri.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka folur për tri kushtet që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i paraqiti për t’u takuar me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke bërë të qartë se shteti që ai përfaqëson pret që palët t’i përmbushin obligimet pa parakushte.

Këtë, diplomati amerikan e bëri në një intervistë për “KlanKosova”, që u transmetua të mërkurën në mbrëmje.

“Ne presim nga Kosova dhe nga Serbia që t’i përmbushin të gjitha detyrimet që i kanë pranuar në dialog, përfshirë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit dhe ta bëjnë këtë me urgjencë, pa parakushte dhe pa i lidhur ato me çështje të jashtme”, tha Hovenier.

Të mërkurën e 26 qershorit, në kryeqendrën evropiane, Bruksel, ndonëse ishte paralajmëruar, nuk pati takim trelateral, në mes të Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve evropianë, por vetëm bilaterale – mes BE-së dhe liderëve të vendeve përkatëse.

Kjo, siç tha shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, për shkak se Kosova, përkatësisht kryeministri Kurti, nuk ishte i gatshëm, pasi që para se të ndodhë kjo, parashtroi tri kushte, të cilat ai i quajti “garancione”.

Nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë, anulimin e letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Brnabiç – ku theksohej se Serbia ka hequr dorë nga Marrëveshja – dhe dorëzimin e kryekriminelit Milan Radojiçiç.

Cilat ishin komentet e Hovener-it për kushtet e Kurtit?

Diplomati amerikan, duke folur për këkresën e Kurtit për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars 2023), tha se mund ta kuptojë se përse kryeministri e dëshiron nënshkrimin, por shtoi se “ka pasur shumë marrëveshje të përmbyllura përmes dialogut të fasilituar nga BE-ja që nuk kanë atë lloj ceremonie të nënshkrimit që kryeministri ka kërkuar”.

Ai ishte i prerë: Marrëveshja është zyrtare.

“Qëndrimi i qeverisë sime… këto janë obligime ligjërisht të detyrueshme për të dyja vendet. Ky është qëndrimi ynë. Kështu po e trajtojmë dhe presim që të dy vendet t’i zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e tyre”, potencoi Hovenier.

Sa i përket kryekriminelit Milan Radojiçiç, ai që udhëhoqi grupin terrorist në Banjë të Zveçait, ekstradimin e të cilit kërkon kryeministri Kurti, Hovenier deklaroi se qeveria e shtetit të tij pret që ata që e kryen këtë akt kriminal të mbajnë përgjegjësi.

“Nga këndvështrimi ynë, ai është padyshim tashmë i sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të tij me krimin e organizuar transnacional. Por, ky është indikator i mëtejshëm i kriminalitetit të tij dhe ne presim që ai të mbajë përgjegjësi”, pohoi.

Për Hovenier dhe shtetin e tij nuk asnjë dyshim se çka është Radojiçiç: kriminel.

“Ne e konsiderojmë atë si kriminel dhe besojmë se ai duhet të vuajë – të përjetojë – jo të vuajë – të përjetojë drejtësinë dhe të mbahet përgjegjës për krimin më të fundit që e kreu, që është roli që luajti në sulmin në Banjë”, potencoi.

Por, për sulmin terrorist në Banjë s’duhet të dënohet vetëm Radojiçiç, edhe shokët e tij.

“Dua të them, se qartazi ka njerëz të tjerë, përveç  Radojiçiçit të përfshirë në sulmin në Banjë dhe ata të gjithë duhet të japin llogari. Dhe presim që autoritetet në Serbi të përdorin sistemin e tyre të zbatimit të ligjit dhe sistemin e sundimit të ligjit për t’i mbajtur ata përgjegjës”, tha ai ndër të tjera.

Ndryshe, takimet e 26 qershorit në Bruksel përfunduan pa ndonjë rezultat konkret, kjo për faktin se nuk pati takim trelateral, pasi që palët ishin barrikaduar në pozicionet e tyre, të cilat Josep Borrell e Miroslav Lajçak, në rolin e ndërmjetësit, nuk arritën që t’i lëvizin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore