Kosova

Hovenier në Manastirin e Deçanit – Ripohon mbështetjen e SHBA-së për një Kosovë sovrane


Jeffrey Hovenier dhe Ati Sava

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, të mërkurën e 2 marsit ka takuar Atin Sava gjatë vizitës në Manastirin e Deçanit, ku me ç’rast ka rikonfirmuar mbështetjen amerikane për një Kosovë sovrane, multietnike që respekton dhe siguron lirin fetare dhe trajton si të barabartë për të gjithë qytetarët.

“I nderuar sot të takohem me At Savën dhe të vizitojmë Manastirin e Deçanit – monument i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe thesar kulturor global – dhe riafirmova mbështetjen e SHBA-së për një Kosovë sovrane, multietnike që respekton dhe siguron lirinë fetare dhe trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Hovenier.

Ndryshe Hovenier, një javë më parë kishte takuar Peshkopin e dioçezës së Rashkës dhe të Prizrenit, Teodosije, ku përsëri kishte konfirmuar mbështetjen e SHBA-ve për sovranitetin e Kosovës.

“I kënaqur të takohem me peshkopin Teodosije gjatë vizitës në Manastirin historik të Graçanicës dhe riafirmova mbështetjen e SHBA-ve për një Kosovë sovrane të pavarur dhe multietnik që respekton dhe siguron lirinë fetare për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Hovenier në rrjetin e tij social në Twitter.

Në anën tjetër, Manastiri i Deçanit, përmes një statusi në Twitter kishte shkruar se Kisha Ortodokse Serbe do të ndjek të gjitha rrugët Ligjore për të ruajtur, siç thanë ata, “identitetin, lirinë dhe pronën”.

Madje ky institucion fetar, thotë se këtë “ruajtje” do ta bëjnë “kundër sjelljes agresive të politikanëve shqiptar”.

“Kisha Ortodokse Serbe do të përdor të gjitha mjetet ligjore për të ruajtur identitetin, lirin dhe pronën midis sjelljes agresive të liderëve shqiptar të Kosovës të cilët brenda një viti shkatërruan të gjitha përpjekjet për të themeluar së paku një kontratë minimale me komunitetin serb”, ka shkruar Manastiri i Deçanit në një cicërimë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore