Kosova

Hoti: Largimi i kuadrove të specializuara do të ketë pasoja për ekonominë


Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Koosvës, Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se të dhënat e publikuara nga procesi i regjistrimit të popullsisë janë të të pakta, por ato që janë tregojnë se ka pasur largim në masë i kuadrove të specializuara dhe do të ketë pasoja për ekonominë.

“Largimi në masë i kuadrove të specializuar, sidomos në mjekësi, teknologjinë e informacionit, inxhinieri e fusha të ngjashme, po krijon zbrazëti në treg dhe në shoqëri. Kjo do të ketë pasoja afatgjata për ekonominë. Bazuar në numrin e të diplomuarve brenda vitit në këto fusha, është e pamundur të zëvendësohen ata që emigrojnë”.

Hoti, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se Kosova ka rreth 200 mijë banorë më pak e disa komuna kanë rreth 35 për qind më pak.

“Kosova ka rreth 200 mijë banorë më pak krahasuar me regjistrimin e fundit të vitit 2011. Përveç Fushë Kosovës, Prishtinës, Obiliqit, Mamushës dhe Ferizajt, të gjitha komunat e tjera kanë rënie të numrit të banorëve. Kamenica ka 37% më pak banorë; Juniku 35% më pak; Novobërda 33% më pak, Deçani 31% më pak; Rahoveci 26% më pak; Vitia 24% më pak; Suhareka dhe Mitrovica 23% më pak; Klina 21% më pak; Skënderaji, Podujeva dhe Malisheva 20% më pak, e kështu me radhë.”.

Sipas Hotit, “të dhënat e publikuara janë shumë të pakta. Përveç numrit të popullsisë sipas komunave, banesave/shtëpive dhe ekonomive familjare, nuk ka të dhëna të tjera të publikuara në këtë fazë”.

Në vitin 2011 në rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në Kosovë ishin 1 milion e 739 mijë e 825, ndërsa nga rezultatet e para në Kosovë nga procesi i regjistrimit të popullsisë në vitin 2024 rezulton që të jenë mbi 1.5 milion banorë.

Që i bie se ka rreth 153 mijë banorë më pak sesa në 2011.

Të dhënat e regjistrimit të popullsisë të publikuar të premten treguan se popullsia është ndjeshëm më e vogël sesa në vitin 2011 – ndonëse në këtë proces nuk morën pjesën banorët në katër komunat me shumicë serbe.

Rritjen më të madhe në numër të popullsisë e ka shënuar komuna e Fushë Kosovës, ndërsa në komunat e tjera ka pasur rënie të popullsisë.

Teksa në komunat e tjera, është vërejtur një përqindje e lartë e banesave dhe shtëpive të pabanuara, përqindja më e lartë është në Komunën e Dragashit, ku gati gjysma e shtëpive dhe banesave janë të pabanuara.

Sipas ASK-së përveç migrimit jashtë Kosovës, është vërejtur edhe migrim brenda vendit, që ka shkaktuar largim të banorëve nga zonat kufitare të Kosovës drejt qyteteve më në qendër.

Dallime janë vërejtur edhe në numrin mesatar të anëtarëve në ekonomi familjare.

Mbi 153 mijë banorë më pak në Kosovë që nga 2011 – çka treguan rezultatet e regjistrimit të popullsisë?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore