Pajisje

Honor prezanton telefonin e palosshëm Magic V


Marka Honor sapo ka prezantuar telefonin inteligjent të palosshëm të quajtur Magic V.

Telefoni ka një formë të ngjashme të palosshme me pajisjet Galaxy Z Fold të Samsung-ut, dallon faqja “The Verge” e të rejave teknologjike.

Ai kombinon një ekran të madh të brendshëm të palosshëm me një ekran të jashtëm më të vogël që mund të përdoret teksa pajisja është e palosur.

Karakteristika kryesore e Magic V, ekrani i tij i brendshëm i palosshëm, është 7.9 inç, ka një rezolucion prej 2272 x 1984 me një shpejtësi rifreskimi prej 90 Hz dhe një raport pamjeje 10:9.

Çka tregon se është pak më i madh se Z Fold 3 i Samsung-ut, ekrani i brendshëm i të cilit është 7.6 inç me një rezolucion prej 2208 x 1768.

Gjithashtu ekrani i jashtëm i Magic V është pak më i madh se Z Fold 3. Ai është 6.45 inç, krahasuar me 6.2 inç të Samsung-ut. Me një rezolucion prej 2560 x 1080, shpejtësi rifreskimi 120 Hz dhe raport pamjeje 21:9.

Sipas Honor, kjo do të ndihmojë për ta bërë pajisjen më të përdorshme kur përdoruesi nuk dëshiron ta shpalosë atë.

Kur paloset, Magic V ka 72.7 milimetra gjerësi, 14.3 milimetra trashësi dhe ka një lartësi prej 160.4 milimetrash.

Ndërsa kur pajisja shpaloset, zgjerohet në 141.1 milimetra gjerësi dhe 6.7 milimetra trashësi.

Telefoni është i disponueshëm në tre ngjyra: portokalli, argjend dhe të zezë dhe mund të mbijetojë duke u palosur dhe shpalosur 200 mijë herë, sipas shefit George Zhao.

Për sa i përket kamerave, Honor ka përfshirë tre sensorë 50 megapikselë në pjesën e pasme të pajisjes së palosshme, të cilat përfshijnë një sensor kryesor, një kamerë ultra të gjerë dhe atë që Honor e quan “kamerë e zgjeruar me spektër”.

“The Verge” tregon se Honor-i i bashkohet një liste gjithnjë e më të gjatë të kompanive që ose kanë njoftuar ose kanë filluar të shesin telefona inteligjentë të palosshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore