Honda synon shitjen e 70 mijë automjeteve elektrike Prologue nga viti 2024

SHFLETO
Sadiola Xhelili
20.09.2021 23:58
Loading Icons...

Njësia amerikane e prodhuesit të automjeteve, Honda Motor, ka njoftuar se po synon që shitjet fillestare vjetore për automjetin e vet elektrik, Prologue, të jenë 70 mijë kur ai të dalë në treg në vitin 2024.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se Honda planifikon të shtojë modele shtesë të automjeteve elektrike pasi synon të shesë gjithsej 500 mijë automjete elektrike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në vitin 2030.

Gjithashtu planifikon të arrijë 100 për qind shitje të automjeteve me zero emetim në Amerikën e Veriut deri në vitin 2040.

Kjo vjen pasi muajin e kaluar, presidenti amerikan Joe Biden, nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke vendosur një objektiv për të bërë gjysmën e të gjitha automjeteve të reja të pasagjerëve të shitura në vitin 2030, automjete me emetim zero.

Lidhur me Honda Prologue, ajo është duke u zhvilluar së bashku me General Motors dhe bazohet në platformën Ultium, një platformë modulare dhe një sistem baterish.

Të dyja kompanitë, Honda dhe General Motors, po zhvillojnë gjithashtu një SUV elektrike të markës Acura.

Pas modeleve të prodhuara nga General Motors, Honda do të prezantojë një seri automjetesh të elektrizuara deri në vitin 2030 bazuar në e-Architecture të zhvilluar nga Honda.

Ajo përbën një platformë të re të makinave elektrike, e cila është e udhëhequr nga Honda dhe do të montojë automjete elektrike në fabrikat e saj në Amerikën e Veriut.

Dave Gardner, nënkryetar ekzekutiv i operacioneve kombëtare në American Honda Motor Co, ka bërë me dije në një deklaratë se fillimisht kompania do të përqendrojë shitjet e Prologue në Kaliforni dhe shtete të tjera si Teksasi dhe Florida.

Ai ka vijuar se Honda planifikon të shtojë sisteme hibrido-elektrike në më shumë modele amerikane.

“Strategjia jonë është e përqendruar në futjen e një përqindjeje më të lartë të hibrideve në modelet bazë në një periudhë të afërt, duke bërë një përpjekje të përkushtuar për të arritur vëllim më të lartë me prezantimin e Honda Prologue”, ka shtuar Gardner.