Kosova

Hera e parë që Albin Kurtin nuk e dëgjojnë deputetët e tij – si ndodhi?


Albin Kurti

Albin Kurti i ftoi deputetët të votonin Projektkodin e ri Civil, i cili përmbante edhe një nen që hap rrugën për ligjin që do të rregullonte bashkëjetesën dhe martesën e personave me gjini të njëjtë.

Deputetët e opozitës, si gjithmonë, nuk e dëgjuan. Deputetët e pozitës, si asnjëherë tjetër, nuk e dëgjuan po ashtu.

Kështu, Projektkodi Civil dështoi të miratohej. Në sallë ishin të pranishëm 77 deputetë, por 16 prej tyre nuk morën pjesë fare në votim.

Nga 61 deputetët, të cilët votuan, vetëm 28 prej tyre kanë votuar pro, ndërsa kundër 29. Katër deputetë abstenuan.

Disa nga deputetët e Vetëvendosjes, jo që nuk kanë votuar pro, por edhe kanë kundërshtuar ashpër projektkodin.

Për shembull, deputetja Labinotë Demi-Murtezi, ka thënë se nuk voton pro, pasi me votën kundër po mbron “moralin publik”.

Labinote Demi-Murtezi

Ajo, është treguar edhe e ashpër, duke thënë se “çdo lidhje jashtë këtij kombinimi (burrë – grua) konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral”.

Deputetja, duke u thirrur në njohurit e cunguara personale, e ka shpjeguar martesën e personave të gjinisë së njëjtë si sulm në shëndetin dhe moralin publik.

“Deklaroj votën time kundër në formën se si ka ardhur ky kod civil, prandaj i them po martesës tradicionale, mbrojtës së moralit publik, mbrojtjes së shëndetit publik dhe, mbi të gjitha, mbrojtjes së interesit më të mirë të fëmijëve”.

Demu-Murtezi, duke mos paraqitur asnjë të dhënë shkencore, ka thënë se të tilla ka plotë, për, siç ka tentuar ta shpjegojë, dëmin që i shkaktojnë shoqërisë martesat mes dy burrave, apo dy grave.

“Ka të dhëna të pakontestueshme shkencore se martesat mes gjinive të njëjta janë të dëmshme për shëndetin e njeriut”.

Ndërsa dashurinë mes dy personave të gjinisë së njëjtë e ka kufizuar në veç “plotësim i nevojave seksuale në forma të shthurura në kundërshtim me natyrshmërinë e njeriut”.

Në një linjë ka qenë edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani.

“E kisha lut ministren e Drejtësisë shumë sinqerisht që ta tërheqë këtë projektkod sot, t’i largojë këto dy pika dhe të vijë pa këto dy pika”, ka deklaruar ai, duke përmendur dy pikat që flisnin për rregullimin e martesës së gjinisë së njëjtë.

Megjithatë, edhe kur të vijë në formë tjetër projektkodi, “unë edhe atëherë do të jem kundër”.

Veç këtyre dyve, kundër janë deklaruar edhe deputetët e tjerë të Vetëvendosjes.

Eman Rrahmani

Jahja Koka, Burim Karameta, Gramoz Agusholli, Gazmend Gjyshinca dhe Visar Korenica e kanë kundërshtuar projektkodin.

Vetë kryeministri Kurti ka qenë pro projektkodit dhe u ka bërë thirrje edhe deputetëve të votojnë. Madje është deklaruar pro edhe martesave të personave të së njëjtës gjini.

Kurti ka dhënë një sërë argumentesh afirmuese në lidhje me martesat e çifteve të gjinisë së njëjtë, duke iu referuar jo vetëm traditës ideologjike të së majtës përparimtare, por edhe taborrit të kundërt ideologjik të tij, traditës konservatore në raport me të drejtën e martesës, përkatësisht asaj të gjinisë së njëjtë.

“Nga pikëpamja konservatore. Shihni sot ju vendet perëndimore dhe demokratike. Pikërisht konservatorët janë ata të cilët janë për lejimin e martesave të sekseve të njëjta. A e dini pse? Se martesa është institucion konservator, dhe ata kanë interes në hegjemoninë e këtij institucioni konservator”.

“Jemi të ndryshëm, disa janë më shumë të ndryshëm, por të gjithë jemi njerëz. Dhe unë besoj në të drejtat e njeriut. Pra, kjo është tejet e rëndësishme”, tha Kurti në Kuvend.

“Unë nuk besoj që duhet t’i meritojmë të drejtat, të drejtat na takojnë. Nuk ka kuptim që të drejtat t’i takojnë vetëm atij që është sikur unë, mund dhe duhet të jemi të barabartë, kjo është baza e justifikimit të cilën unë po them”, deklaroi, vec tjerash, Kurti.

Projektkodi Civil u kundërshtua edhe nga një numër i madh i deputetëve të opozitës, porse kjo edhe është pritur meqë kryesisht në Kosovë opozitat janë në parim kundër atyre që i sjellë për votim qeveria në Kuvend. Por, ka befasuar vota e përçarë e Vetëvendosjes, që zakonisht votojnë uniform.

Si është aktualisht e rregulluar kjo çështje?

Me Kushtetutën e Kosovës, parashikohet që “në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Por, ka një deformim më pas në Kodin Civil aktual, pasi që aty konkretizohet martesa si një e drejtë që i takon vetëm një dysheje heteroseksuale.

“Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore