Kosova

Haxhiu thotë se do ta procedojë “shumë shpejt” në Kuvend – Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë


Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se së shpejti do ta procedojë në Kuvend – Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, meqë gjatë muajit qershor Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur antikushtetues, pasi kishte gjetur plotë 10 pika në kundërshtim të plotë me Kushtetutën.

“Ministrja Haxhiu shtoi se para procedimit në Kuvend të Ligjit për Byronë, i cili pritet të bëhet shumë shpejtë, Ministria e Drejtësisë ka konsideruar të rëndësishëm takimin e tillë, diskutimin përmbajtjesor dhe bashkëpunimin me akterët kryesor të institucioneve për praktikën dhe rregullimin ligjor për ruajtjen e të dhënave në këto institucione mes tjerash”, thuhet në njoftim të MD-së për media.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pati shpallur antikushtetues edhe Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Gjykata kishte vendosur “të shpallë të pavlefshëm, me pesë (5) vota për dhe katër (4) vota kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”.

Në vendim ishin dhënë edhe të gjitha nenet dhe paragrafët ku janë diktuar shkeljet kushtetuese të ligjit që qeveria e proklamonte si ligji që do të mundësonte reformën në drejtësi.

Gjykata kishte gjetur se ligji për Byronë provonte të përmbyste krejtësisht funksionimin e sistemit juridik në Kosovë ku më nuk do të kishin barrën e provës organet akuzuese, por vetë individi që po akuzohej.

Ndërkaq deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kishin argumentuar para Kushtetueses se ky ligj cenon parimet e sundimit të ligjit, atë të sigurisë juridike, por edhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, përfshirë instrumentet e aplikueshme ndërkombëtare.

Ligji, që është shpallur i pavlefshëm, përfshinte periudhën nga data 17 shkurt 2008, dhe periudhën brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore