Kosova

Haxhiu: I kemi prezantuar faktet dhe dëshmitë se pas sulmit në Banjë qëndron Serbia


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se i kanë prezantuar të gjitha faktet se pas sulmit të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, qëndron Serbia.

Haxhiu, në fjalimin e saj në ministerialin për Drejtësi dhe Punë të Brendshme i cili u organizua nga Këshilli i Bashkimit Evropian nën udhëheqjen e Spanjës tha se  ka vlerësuar reagimet e akterëve të ndryshëm të cilët kanë dënuar sulmin terrorist të 24 shtatorit.

Po ashtu edhe rezolutën e miratuar në Parlamenti i Evropës e cila dënon këtë akt.

“Ministrja Haxhiu tha se një sulm i tillë, pa dyshim është sulm ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë, sulm ndaj paqes dhe sigurisë në rajon, e për të cilin akt, ne tashmë kemi prezantuar fakte dhe dëshmi se janë të lidhura dhe mbështetura nga fqinji ynë verior, Serbia”.

Ministeriali për Drejtësi dhe Punë të Brendshme.

“Ministrja Haxhiu ftoi të gjitha vendet që të rreshtohen dhe të dënojnë sulmet e tilla terroriste dhe të kontribuojnë për drejtësinë dhe paqen”, tha Haxhiu.

Ajo tutje ka folur edhe për situatën mes Rusisë dhe Ukrainës, duke theksuar se kanë miratuar 11 pako sanksionuese ndaj Rusisë.

“Deri tani janë miratuar 11 paketat e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë dhe që janë mbështetur sanksionet e ShBA-ve ndaj këtyre vendeve, në një nismë për të shprehur qartë qëndrimin tonë ndaj ndikimit të tyre në situatën aktuale”.

Ndërsa ka pohuar se nevoja për bashkëpunim për të ruajtuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin është domosdoshmëri.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që të bashkëpunojë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, dhe çështjet tjera të interesit të përbashkët, tha ndër të tjera Ministrja e Drejtësisë”.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Lidhur me sulmet terroriste, organet e rendit kanë sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan nga Policia pas sulmit, vlera e të cilave kapte shifrën 5 milion euro.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore