Kosova

Haxhiu çudit KPK-në: Si është e mundur që ministrja e drejtësisë nuk pranon vendimin e institucionit më të lartë të drejtësisë?


Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë doli në konferencë për media duke gjykuar dhe dyshuar vendimin e institucionit më të lartë të drejtësisë në vend Gjykatës Kushtetuese, por asnjëherë nuk tha se e pranon vendimin.

Gjykata, siç u mor vesh nga njoftimi të premten mbrëma, e shpalli anti-kushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial, me argumentimin se “ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial”.

Albulena Haxhiu mbajti konferencë për media duke deklaruar se vendimi “pengon zhvillimin dhe fuqizimin e sistemit prokurorial”.

Në një argumentim trivial, Haxhiu kontestoi edhe kohën që u desh të merrej vendimi.

“Pse 9 muaj”, tha ajo.

“Kjo është e paprecedent, nëse arsyetimi paska qenë aq i thjeshtë për rrëzimin e tij, pse na vonuan 9 muaj?”, pohoi Haxhiu në konferencë për media derisa shtoi se “reformat në drejtësi mund të na i sabotojnë, të na i vonojnë por assesi të mund të na ndalojnë”.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), është befasuar me deklarimet e ministres dhe përmes një komunikate i ka reaguar komentit të saj.

“KPK-ja deklaron se edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është keqpërdorur sërish fjala e lirë, keqpërdorim ky, i cili është dhe mbetet kryekëput jashtë të drejtës demokratike dhe aq më tepër kur ai vjen nga zyrtarët më të lartë të shtetit”, thuhet në reagim.

“Edhe sot u dëgjuan deklarime të tilla nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën për medie, të cilat përkojnë me një pamaturi dhe joseriozitet aq të theksuar saqë shkojnë deri në kontestim të akteve që dalin nga institucioni më i lartë kushtetues, duke pohuar se ‘më e rëndësishmja për të është interesi individual i disa anëtarëve të KPK-së’”.

Madje, nga KPK janë befasuar se si është e mundur që “një zyrtare e lartë e Qeverisë nuk pajtohet me vendimin e një institucioni më të lartë, siç është Gjykata Kushtetuese”.

Nga KPK tregojnë se ata qysh herët i kishin bërë vërejtjet e tyre, sepse kishte “një mbarëvajtje jo të rregullt të procesit të hartimit të Projektligjit të KPK-së”.

Gjithashtu, shkruajnë ata, kishte “futje të elementeve tendencioze dhe jofunksionale”.

Çfarë i kishte çuditur qysh nga fillimi ishte “nxitimi marramendës i Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë për të proceduar e miratuar ketë Projektligj, pa e konsultuar draftin final me aktorët e këtij procesi dhe pa i pritur komentet shtesë të Komisionit të Venecias”.

“KPK-ja ka theksuar sistematikisht defektet e shprehura të Ekzekutivit lidhur me mosmarrjen parasysh të propozimeve të dala nga Strategjia për Sundimin e Ligjit dhe propozimeve të përfaqësuesve të sistemit prokurorial dhe akterëve të tjerë të sistemit të drejtësisë ose jashtë tij, gjë që realisht përbënte hapur një tendencë për të cenuar pavarësinë e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, si institucione të pavarura dhe kushtetuese”, është një tjetër kritikë nga prokurorët.

Ata i janë gëzuar vendimit të gjykatës kushtetuese, meqë “hoqi të gjitha dilemat ekzistuese lidhur me ketë çështje”.

“Gjykata Kushtetuese të Republikës së Kosovës, me nxjerrjen e këtij vendimi të drejtë, afirmon njëherë e mirë të drejtën kushtetuese për mosinterferim politik, i cili cenon thelbësisht pavarësinë e prokurorëve të shtetit dhe përgjithësisht pavarësinë e sistemit prokurorial”.

Ky vendim nuk përbën herën e parë që kjo qeveri bie ndesh me Kushtetutën. Njëjtë kishte ndodhur edhe me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila me interferimet e saj në politikat e arsimit në Komunën e Kamenicës, kishte bërë shkelje kushtetuese.

As Nagavci nuk e kishte pranuar vendimin e gjykatës dhe e kishte trajtuar me shpërfilljen e njëjtë si Haxhiu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore