Hasani: Të tejkalohet hendeku i konvergjencës BE-Ballkan Perëndimor

Qasje e bazuar në merita, sipas Hasanit, thelbësore për të siguruar një proces të qetë integrimi
SHFLETO
Sadiola Xhelili
23.09.2024 18:24
Loading Icons...

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani – në mëngjesin e punës me Ministrat e Jashtëm të grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor – ka theksuar angazhimin e Shqipërisë për reformat, përafrimin me acquis, forcimin e institucioneve, bashkëpunimin rajonal dhe përgatitjen e kompanive për tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.

Ministri Hasani u shpreh se hendeku i konvergjencës socio-ekonomike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së duhet të mbyllet gradualisht.

“Mes sfidave gjeopolitike, një rrugë e përbashkët drejt zhvillimit të qëndrueshëm, tejkalimit të hendekut të konvergjencës dhe krijimit të mundësive është thelbësore si për Ballkanin Perëndimor ashtu edhe për BE-në”, ka thënë ai.

Sipas Hasanit, një qasje e bazuar në merita, me përfitime të prekshme në çdo fazë, është “thelbësore për të siguruar një proces të qetë integrimi, duke nxitur stabilitetin, rritjen ekonomike dhe lidhjet më të forta rajonale”.

Në mëngjesin e punës, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, ishin të pranishëm Ministrat e Punëve të Jashtme të Italisë, Austrisë, Kroacisë, Greqisë, Republikës Çeke, Sllovakisë dhe Sllovenisë.

Në fokus të diskutimeve ishin mënyrat për të çuar përpara reformat e integrimit dhe rifillimi i procesit të integrimit gjatë ciklit të ri institucional.

Më herët, kryediplomati italian Antonio Tajani ka mirëpritur takimin ministror për Ballkanin Perëndimor në New York në margjinat e sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Zëvendëskryeministri Tajani kryesoi takimin e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi) së bashku me Grupin e “Miqve të Ballkanit Perëndimor” (Austria, Kroacia, Republika Çeke, Greqia, Sllovakia dhe Sllovenia), një nismë plotësisht në përputhje me angazhimin e Italisë për të forcuar bashkëpunimin me partnerët e saj ballkanikë dhe për të nxitur perspektivat e tyre evropiane, shkruhet në reagim.

Tajani theksoi në median sociale “X” se mblodhi kolegë nga Ballkani Perëndimor për të “rinisur procesin e tyre të integrimit evropian në BE dhe bashkëpunim rajonal” në ciklin e ri institucional.

“Ne po punojmë për stabilitet, rritje dhe integrim në tregjet evropiane të një rajoni strategjik për Italinë”, shtoi ai.

Axel Marschik, Ambasadori Austriak në OKB, reagoi duke thënë se takimi ishte një diskutim i mirë për zbatimin me efektiv të “Apelit të Göttweig për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor”.

“Dita e dytë e Javës së Nivelit të Lartë të OKB-së fillon me një takim të hershëm ministror për Ballkanin Perëndimor. Diskutim i mirë se si të ngarkohet me shpejtësi procesi i integrimit dhe si të zbatohet më mirë ‘Apeli i Göttweig për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor’ me Komisionin e ri të BE-së”, përmendi Marschik.

Ministri i Jashtëm grek George Gerapetritis ishte po ashtu i pranishëm në Takimin Ministror të Ministrave të Jashtëm të grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor të BE-së dhe Ministrave të Jashtëm të partnerëve të Ballkanit Perëndimor.

“Zgjerimi mban një pozicion të rëndësishëm në axhendën politike të BE-së. Greqia mbetet një mbështetëse e vendosur e rrugës evropiane të Ballkanit Perëndimor, me kusht që të zbatohen reformat e nevojshme, të arrihet harmonizimi me acquis të BE-së dhe të sigurohet respektimi i shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar”, thotë diplomacia greke.

Gordan Grlić Radman, ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, shpreson që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të qëndrojnë të përkushtuara ndaj synimeve të anëtarësimit në BE.

“Ajo që kërkohet nga vendet kandidate për në BE është e njohur dhe e qartë. Bosnja dhe Hercegovina mbetet prioriteti ynë”, theksoi diplomati kroat në takimin me ministrat e jashtëm në formatin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.

Kryediplomati boshnjak Elmedin Dino Konakoviç, shkroi se diskutimet u përqëndruan në përshpejtimin e integrimit në BE për rajonin dhe përparimin e Bosnje-Hercegovinës, duke përfshirë hapat kyç në përgatitjen për negociatat e pranimit.

Gjithashtu u theksua rëndësia e Procesit të Berlinit për bashkëpunimin rajonal.