Kosova

Hasani: Padia për gjenocid është një dhuratë për Serbinë, kështu amnistohet Beogradi nga krimet e luftës


Enver Hasani

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare Enver Hasani, ka deklaruar se çdo padi për gjenocid kundër Serbisë do të ishte një dhuratë për regjimi në Beograd.

Meqë në vlerësimin e tij një padi e tillë që në start mund të konsiderohet i dështuar dhe kështu Serbia amnistohet nga krimet e luftës dhe çdo krim tjetër të kryer në Kosovë.

“Një padi e tillë përbën një vepër thellësisht antikombëtare. Kjo është kështu për faktin se një padi e tillë a priori është e gjykuar në dështim dhe, për pasojë, shërben si një shlyerje e fajit serb për gjenocid, krime luftë dhe çdo krim tjetër të kryer në Kosovë”, ka potencuar ai në një intervistë për Gazetën Express.

Serbia, beson ai, me padinë për gjenocid nga Kosova do të fitoj një “konfirmim të njohur ndërkombëtarisht se nuk ka kryer gjenocid dhe krime luftë në Kosovë”.

“U mor vesh, bëhet fjalë për Serbinë si shtet, jo për individët që kanë qenë liderë politik dhe ushtarak të Serbisë dhe që janë dënuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Kosovë”.

Liderët institucional të Kosovës pasi për tri vjet rresht dështuan ta realizojnë premtimin e tyre për padi për gjenocid ndaj Serbisë, kanë gjetur një formulë të re – padi civile për Serbinë në Këshillin e Evropës.

Një qëndrim i tillë fillimisht u artikulua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në prill të vitit 2022 kishte thënë se Kosova po punon “intensivisht” për ta paditur Serbinë për gjenocid.

Osmani, tash dy vjet më pas, potencon se me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, familjarët do të kenë mundësinë për ta paditur Serbinë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Formulimin e Osmanit e ka mbështetur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila konsideroi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të hapë rrugë për adresimin e krimeve të luftës gjatë viteve 1998 dhe 1999, përfshirë edhe padinë për gjenocid ndaj Serbisë.

Megjithatë për Hasanin këto deklarata janë të pabaza dhe se liderët institucional po luajnë me ndjenjat e njerëzve fatkeq që kanë pësuar në luftën e fundit në Kosovë.

“Sigurisht që Gjykata e Strasburgut nuk është kompetente për të gjykuar dhe për t’u marrë me krimin e gjenocidit dhe krimet e luftës të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Asnjë lehtësim ose ndihmë nuk mund të ofroj kjo gjykatë sa i përket krimeve të gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare”.

Në maj të këtij viti bëhen tri vjet prej kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, publikisht kishte deklaruar se Qeveria e Kosovës ka filluar punën për përgatitjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë gjatë periudhës së luftës së fundit.

Përgatitja, në vlerësimin e Kurtit, po bëhej me hapa “gjigantë”, meqë për të “një rast i tillë as nuk guxon, as nuk duhet e as nuk mund të humbet”.

Se në këtë drejtim po punohet “intensivisht” kishte njoftuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në prill të vitit 2022, Osmani, kishte potencuar se tashmë një ekip i përbërë nga profesionistë po përgatisin materialet të cilët duhet Kosova t’i ketë sa i përket padisë për gjenocid.

“Nuk është lojë kjo punë, sepse një rast i tillë do të ishte iniciativa më e rëndësishme e Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë”, deklaronte ajo.

Një hap përtej Kurtit e Osmanit kishte bërë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kur në maj të vitit 2023 kishte deklaruar se Kosova është “shumë afër” përfundimit të padisë “profesionale” për gjenocid ndaj Serbisë.

Kryekuvendari kishte potencuar se për padinë ndaj Serbisë janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesionalë që kanë njohuri në këtë fushë dhe se në këtë drejtim është bërë një “punë e mirë deri tash”.

“Prej ditës kur është bërë ndryshimi i madh dhe ka ardhur një qeverisje e re, është punuar pandërprerë, çdo ditë. Mund të konstatoj që kjo është shumë afër. Nuk mund të jap muaj apo kohë të caktuar veç se e dijë që është bërë një punë e madhe deri tash”, deklaronte ai.

Në ndërlidhje me iniciativën për padi për gjenocid ndaj Serbisë, Qeveria e Kosovës në shkurt të këtij viti themeloi edhe Institutin për Krimet Lufte – me synim mbledhjen e materialeve dhe dëshmive për krimet e kryera gjatë luftës, të cilat do të arkivohen dhe do t’i shërbejnë këtij instituti për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës.

Por, ndryshe nga deklaratat plot optimizëm e premtuese të krerëve institucionalë Qeveria e Kosovës – kompetencë kjo ekskluzive e saj – nuk ka bërë asnjë hap konkret e të prekshëm në këtë drejtim, ndërsa padia për gjenocid ndaj Serbisë nuk duket fare në horizont.

Andaj deklarata të tilla të pamatura të autoriteteve kosovare për njohësit e fushës së drejtësisë nuk mund të konsiderohen si asgjë tjetër përveç si “lojë politike” e fraza të cekta për nevoja elektorale.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, beson se tashmë është e qartë se artikulimet e tilla publike të ekzekutivit nuk janë asgjë tjetër përveç “deklarata politike për konsum të brendshëm dhe të parealizueshëm në praktik”.

Në vlerësimin e tij fraza të llojit të cilat janë vështirë të realizueshëm në terren mund të cilësohen edhe si “premtime fiktive” të cilave mund t’i besojnë qytetarët laikë, por assesi ekspertët e kësaj fushe.

“IKD kishte kërkuar nga Qeveria që përmes kësaj qasje të mos ngjall shpresa të rrejshme me theks të veçantë te familjarët e viktimave të krimeve të luftës në Kosovë, pasi mos realizimi në praktikë padyshim se kthehet në zhgënjim te të njëjtit”, thotë Miftaraj për Albanian Post.

Duke theksuar pamohueshmërinë e faktit se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, krime të tmerrshme dhe sistematike ndaj popullit shqiptar në Kosovë, Miftaraj thekson se padia për gjenocid ndaj Serbisë – siç ka premtuar Qeveria – është e pamundur marrë për bazë pozicionin politik në të cilën gjendet Kosova aktualisht në arenën ndërkombëtare.

“Sipas të drejtës ndërkombëtare në mënyrë që Kosova të ushtrojë një të drejtë të tillë do të duhej të ishte pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe nënshkruese e Statutit të GJND-së, që në rastin konkret kjo tani për tani fatkeqësisht nuk ekziston”, argumenton ai.

Si mashtroi Kurti se Kosova e ka “shumë afër” padinë për gjenocid ndaj Serbisë – qe 3 vjet, padia askund

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore