Kosova

Hargreaves kujton ushtarët e rënë britanikë në Kosovë


Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i shoqëruar bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ushtarakë britanikë, të mërkurën, në 25 vjetorin e Ditës së Çlirimit, ka përkujtuar 14 pjesëtarë të Forcave të Armatosura Britanikë që kanë humbur jetën gjatë shërbimit në KFOR.

“Kujtuam dhe reflektuam për ata që bënë sakrificën përfundimtare për ruajtjen e paqes në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Ai ka kujtuar gjithashtu të “gjitha vuajtjet që ndodhen në Kosovë”.

“Dhe të gjithë ata që vazhdojnë të durojnë pasojat e këtij dhe konflikteve të tjera”, ka shtuar ai.

Kosova të mërkurën e 12 qershorit shënon 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s (KFOR-i) hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Rezoluta 1244 vendosi në Kosovë administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50 mijë trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja (KFOR-in).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore