Kosova

Haradinaj: Shpresoj tek një epilog për lirinë e Mustafës në një shkallë tjetër


Ish kryeministri i Kosovës dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj

Ish kryeministri i Kosovës dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas shpalljes së dënimit ndaj Salih Mustafës nga Gjykata Speciale, supozon se rasti i Mustafës mund të marrë epilog tjetër.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Haradinaj ka deklaruar se beson në pafajësinë e UÇK-së.

“Unë besoj fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së. Kosova e ka pranuar drejtësinë si mekanizëm për heqjen e gjitha dilemave se lufta e UÇK-së për lirinë e vendit ka qenë luftë e pastër!”, ka shkruar ai.

Sipas tij, dënimi ndaj Mustafës, mund të ndryshohet në vendimet e tjera.

“Dënimi sotëm i Sali Mustafës është vetëm një shkallë e drejtësisë, dhe rasti i tij në një shkallë tjetër, shpresoj ta marrë një epilog tjetër për lirinë e tij, siç ka ndodhur në plot raste të tjera, që dënimet drakoniane janë rikthyer në pafajësi!”.

Të premten e 16 dhjetori trupi gjykues, i udhëhequr nga Gjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpalli fajtor me 26 vjet heqje lirie ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën.

Për çka akuzohej Salih Mustafa?

Sali Mustafa, i njohur me nofkën “komandat Cali”, akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme të shqiptarëve.

Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Ndërkaq, Mustafa, i pyetur se si deklarohet për akuzat, kishte thënën “i pafajshëm në të gjitha pikat që mi ngarkon kjo Zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Absurditeti i Speciales: Prokuroria kërkoi për Salih Mustafën dënim më të madh se sa për të gjithë kriminelët serbë të luftës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore