Haradinaj për shprehjen e Hovenierit: Këmbanat po bien për ata që kanë vesh

Paralajmërimin me “urinë para pragut” i ambasadorit amerikan e ka komentuar edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ish-kryeministri u shpreh me sens të urgjencës në një shkrim në platformat sociale.
SHFLETO

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

 

Altina Marmullaku
25.09.2024 15:47
Loading Icons...

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar shprehjen e ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier, i cili të mërkurën iu drejtua Qeverisë së Kosovës me një mesazh duke thënë se “Gjyshi im ka thënë se nëse dëshiron të bëhesh pjesë e një klubi, atëherë mos urino në pragun e derës së atij klubi”.

Sipas Haradinaj, kjo shprehje e Hovenierit është shumë e pazakontë, por e cila tregon mjaftueshëm.

“Kjo shprehje e pazakontë është  shprehje e dhimbjes dhe pakënaqësisë për kursin dhe rrugën e gabuar që ka përzgjedhur Kosova. Njerëzve që e duan Kosovën si Hovenier kjo ju dhemb. Kosova është keq dhe ka trend të përkeqësimit. Këmbanat po bien për të gjithë ata që kanë vesh!”, ka thënë Haradinaj.

Përderisa Qeveria e Kosovës përpiqet – në menyrë deklarative – të avancojë axhendën euroatlantike, duke “konfimuar” përkushtimin e vendit ndaj Bashkimit Evropian (BE) dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), ajo është kritikuar vazhdimisht nga SHBA-ja, BE-ja e NATO-ja për shkak të veprimeve të pakoordinuara e të njëanshme.

“Nuk e shoh se si mund të bëhesh anëtare e BE-së pa bashkërendim me të gjitha shtetet anëtare e BE-së apo si mund të bëhesh anëtare e NATO-s pa bashkërendim me shtetet anëtare të NATO-s?! Duhet t’i bindësh, ne dëshurojmë të ndihmojmë. Kjo nënkupton të punoni në procesin e krijuar nga institucione të ndryshme”, ka nënvizuar ai.

“Çfarë dua të them është se ne duam të përkrahim Kosovën në rrugën euroatlantike, kemi bërë shumë, presidentë, sekretarë të shtetit e ambasadorë për të avancuar këtë. Ne duam të ndihmojmë. Presim çdo qeveri e Kosovës të japë argumentet më të mira, municionet më të mira në këto bisedime”, ka potencuar ambasadori Hovenier.

Duke folur për procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, ambasadori amerikan ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi të veprojnë në përputhje të plotë me të gjitha obligimet që burojnë nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, dhe gjithashtu, ta marrin seriozisht procesin e lehtësuar nga BE-ja.