Kosova

Haradinaj kërkesë Qeverisë: Rritni pagat në sektorin publik, gjeni modalitet për sektorin privat, pasi fuqia punëtore po ikë çdo ditë


Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, konsideron se Dita Ndërkombëtare e Punës e ka gjetur Kosovën në pozitën më të vështirë pas 24 vjetëve.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Haradinaj ka thënë se e ardhmja është vetëm duke e përkeqësuar Kosovën për pozitën e punëtorëve.

“Dita Ndërkombëtare e Punës kësaj here Kosovën e gjen në pozitën më të rëndë në 24 vitet e fundit. Secilën ditë që kalon, vendi ynë është edhe më keq, punëtorët tanë më të diskriminuar, e qeveria edhe më e fjetur”.

Teksa ka thënë se interesimi i ekzekutivit aktualisht nuk është aspak në këtë drejtim.

“Kryeministri dhe kabineti i tij qeveritar janë të fokusuar më shumë në grumbullimin e parave në thesarin e shtetit se sa në investime kapitale – aty ku hapen vende të reja pune, rriten rrogat dhe zhvillohet shteti”.

“Fuqia punëtore po ikë çdo ditë, vendi ynë po mbetet pa mjekë, pa inxhinierë, ekonomistë e pa mësimdhënës. Kosova rrezikon me mbetë edhe pa pjesëtarë të sigurisë sepse rinia po ikë!”.

Ish kryeministri ka përmendur edhe ngritjen e çmimeve gjatë muajve të fundit.

“Ngritja e çmimit të tatimit në pronë, afatizimet dhe lojërat me pagesa të tatimit, duhet të anulohen dhe të mendohet edhe për qytetarët”.

Haradinaj, ka pasur kërkesë edhe për Qeverinë në mënyrë që “Kosovën ta bëjnë një vend më të mirë për të jetuar”.

“Ftoj qeverinë që t’i ngritë pagat në sektorin publik, të gjejë modalitete për rritjen e pagave në sektorin privat, aty ku është goditja më e madhe nga inflacioni, si dhe më e rëndësishmja, të zhbllokojë buxhetin e shtetit”.

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës.

Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Lufta kishte prodhuar largimin më të madh të shqiptarëve nga Kosova. Atëherë më shumë se opsion ishte detyrim.

Paslufta ktheu njerëzit, por jo edhe dëshirën për të qëndruar. Problemet e shumta i panë kosovarët duke provuar alternativa nga më të ndryshmet për të lënë vendin.

Papunësia, pagat e ulëta, shkollimi i dobët, çmimet e larta, mosvlerësimi i duhur këto ishin vetëm disa nga arsyetimet kur qytetarët pyeteshin përse po largohen.

Të njëjtat arsyetime vazhdojnë edhe sot.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore