Përballje

Hadërgjonaj shënon në minutën e shtatë shtesë golin e fitores për Kasimpasa-n


Futbollisti i Kosovës, Florent Hadërgjonaj, ka qenë njeriu vendimtar në fitoren e ekipit të tij Kasimpasa ndaj Gaziantep me rezultat 2:1, ndeshje kjo e vlefshme e javës së 31-të në Superligën e Turqisë.

Hadërgjonaj arriti të marrte meritën e tri pikëve të këtij takimi, pasi që shënoi golin e fitores në minutën e shtatë shtesë nga pika e bardhë e penalltisë.

Skuadra e Kasimpasa-s mbeti me një futbollist më pak në fushë që në minutën e 22-të, kur mesfushori boshnjak, Haris Hajradinovic, u përjashtua nga loja pas dy kartonëve të verdhë.

Mysafirët e Gaziantep më pas arritën të parët të kalojnë në epërsi në minutën e 35-të, me golin e realizuar nga senegalezi, Papy Djilobodji.

Nuk vonoi shumë dhe ekipi i Hadërgjonajt barazoi rezultatin në minutën e 41-të me golin e realizuar nga Jackson Muleka.

Në pjesën e dytë u zhvillua lojë e barabartë dhe deri në fund pritej që skuadrat t’i ndanin pikët me një barazim 1:1.

Megjithatë, kështu nuk mendoi edhe përfaqësuesi i Kosovës, Hadergjonaj, i cili shënoi golin e fitores duke ia sjell fitoren ekipit të tij.

Kujtojmë që ky ishte goli i dytë i Florentit për këtë edicion, derisa ai ka edhe një asistim tjetër.

Derisa kjo ishte një fitore e madhe e Kasimpasa-s, të cilët me këto tre pikë tashmë kanë siguruar një vend edhe për edicionin e ardhshëm në elitën e futbollit turk.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore