Shqipëria

Gjykata e Lartë lë në “arrest shtëpie” Alma Kaçin, për rastin Gjici


Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Alma Kaçit, e cila u shfaq në video duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrën e ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici.

Ndaj saj, togat e zeza kanë lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest në shtëpi”.

Prokuroria e Posaçme më 25 nëntor ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj Gjicit dhe Kaçit.

Referuar hetimeve të SPAK, janë përftuar prova dhe të dhëna nga analizimi i të cilave ka rezultuar se e pandehura është personi që i ka ofruar përfitime të parregullta të pandehurit Gjici.

Dhe se ky i fundit pasi ka përfituar prej saj, në formën e favorit seksual, ka premtuar ta ndihmojë me projektin e mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës.

Hetimi për Gjicin

Prokurorët e SPAK kanë zbritur në terren në Kukës mëngjesin e 19 qershorit, ku kanë sekuestruar serverin e kamerave të sigurisë, si edhe dokumente të ndryshme, të cilët mund të ndihmojnë në hetimin e Safet Gjicit, ish-kryebashkiakut, i tërhequr tashmë nga detyra pas publikimit të një videoskandali seksual.

Oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, siç ka mësuar Albanian Post, kanë qëndruar për disa minuta në ambientet e Bashkisë dhe kanë marrë gjithashtu edhe kontaktet e punonjësve të informatikës në administratën rajonale.

Bashkëngjitur, janë marrë edhe disa dosje, rreth të cilave mund të bëhet verifikimi nëse gruaja që është pjesë e videos, ka paraqitur apo jo projekte pranë Bashkisë dhe nëse ato janë miratuar.

Kjo e fundit, është bërë po ashtu pjesë e hetimit, për arsye se nga të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit, gruaja në fjalë në vitin 2021 ka themeluar një kompania me qendër në Tiranë, e cila ka si objekt “shërbime konsulence dhe shërbime menaxheriale për biznese të treta”.

Për këtë arsye, nga SPAK pritet të ndodhë një hetim i thellë i një dosjeje voluminoze, e cila do të shkojë në rrënjë të punës që Gjici ka kryer në mandatin e tij katër-vjeçar në krye të bashkisë.

Kështu, do të shihet edhe nëse ajo ka përfituar nga tenderë apo projekte publike në emër të kompanisë apo të personave të tretë.

Vetë ish-kryebashkiaku nga ana tjetër, po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

SPAK thekson se pas sqarimit të rrethanave nga verifikimi që po kryhet për këtë çështje, situata penale mund të ndryshojë.

Si fillim pika kyçe e çështjes është dëshmia e vajzës, e cila është identifikuar nga Prokuroria e Posaçme.

Gjithashtu hetime po kryhen edhe për rrethanat në të cilin është kryer filmimi, për qëllimin dhe për arsyet e publikimit të videos intime.

Videoja ka qarkulluar gjerësisht në media sociale mëngjesin e 16 qershorit fillimisht, ku është shpërndarë edhe në platformën “ËhatsApp”.

Ajo është filmuar më datë 6 qershor dhe nuk dihet ende se e kujt është autorësia e videos, ose rrethanat në të cilën është filmuar.

Akuza kryesore që mund të ngrihet ndaj Gjicit ndërkaq, mund të të jetë ajo e “Shpërdorimit të detyrës”.

Ndërsa, raste të tjera të ngjashme ka pasur edhe në të shkuarën, ku në një skandal të tillë ka rënë edhe ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili.

Apo, më parë, skandalet seksuale kanë shkuar edhe në nivel ministror, me Ylli Pangon, i cili u shkarkua nga detyra pikërisht lidhur me ngjarje të tilla të ngjashme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore