Gjuriç kërkon që KFOR-i e EULEX-i t’i “përdorin kompetencat e tyre” nëse hapet ura

SHFLETO

Marko Gjuriç

Dreni Himbeqa
20.08.2024 12:16
Loading Icons...

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç, ka pretenduar se “është e nevojshme” që Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX-i, t’i përdorim kompetencat e tyre nëse Qeveria e Kosovës hap urën kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

“Beogradi dëshiron të shoh veprime më energjike nga përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndryshe edhe Zëvendëskryeministri i sanksionuar i Serbisë, Aleksandar Vulin, disa ditë pas kthimit nga një vizitë zyrtare në Rusi, kishte pretenduar se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër “është shumë e rrezikshme”.

Ideja kryesore e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me hapjen e urës së Ibrit, sipas pretendimeve të Vulinit është “pushtimi i Veriut të Kosovës” përmes Policisë së Kosovës.

“Politika e Albin Kurtit është ‘spastrimi etnik’ i Kosovës. Dëshira e tij është që të pastrojë Veriun dhe Jugun e Kosovës nga serbët”, pretendoi ai.

Vulin duke cituar rezolutën 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara tha se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, është garantuesi i mbijetesës së serbëve në Kosovë, andaj detyra e tyre, sipas pretendimeve të tij, është “mbrojtja e serbëve”.

Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.

Ndërkohë Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Egjipti pranon t’ia dorëzojë Izraelit kontrollin e Rafahut, sipas autoriteteve egjiptiane

SHFLETO